Vllaznia U17 arriti të marrë një tjetër Kupë pak ditë më parë, teksa u shpall fituese e “Tornei Giovanili Siçilia” në Itali. Në këtë turne, ekipi i 17-vjeçarëve kuqeblu zhvilloi pesë ndeshje, nga të cilat fitoi tre dhe barazoi dy, me një golavarazh prej 13-golash të shënuar dhe asnjë të pësuar.

Ndërkohë, nga gjiri i ekipeve të Akademisë Vllaznia ka dalë edhe futbollisti më i mirë i turneut. Fjala është për talentin shkodran, Aris Ara.

Ai ishte njëri nga protagonistët kryesor të këtij suksesi të Vllaznia U17 në fitimin e këtij turneu. Futbollisti i krahut të majtë ka bërë një performancë të shkëlqyer, duke qenë i pandalshëm në depërtimet e tij.

Po ashtu, Ara ka marrë edhe duartrokitjet e tifozëve të pranishëm dhe madje me plot meritë u vlerësua edhe si lojtari më i mirë në turneun e Siçilias. Padyshim që, drejtuesit e ekipit të parë duhet t’i hedhin sytë nga ky futbollist, pasi sipas specialistëve të futbollit, Ara premton shumë për të ardhmen.

Ndërkohë në këtë sezon, Aris Ara ka arritur të shënojë shtatë gola në 21-ndeshje të luajtura deri më tani me Vllaznia U17 në të gjitha kompeticionet e këtij viti, si në Kategorinë Superiore, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë.
Maringlen ZHIVANI