Pas titullit kampion të sezonit të kaluar, Vllaznia U-19 shpallet edhe fituese e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon.

Ka ndodhur kështu, pas fitores në ndeshjen finale ndaj Shkëndisë së Tiranës. Madje, në “Elbasan Arena”, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin e thellë 4-0 ndaj kundërshtarit duke treguar më së miri dominimin në fushë dhe meritimin e këtij trofeu.

Pas minutave të para disi të barabarta, fati I ndeshjes do të vendosej në minutën e 23-të.

Një nga mbrojtësit e Shkëndisë do të ndalte me dorë topin e goditur nga Gruda dhe që po shkonte drejt rrjetës.

Arbitri I takimit ka treguar pikën e bardhë të 11-metërshit dhe po ashtu edhe karton të kuq për mbrojtësin tiranas.

Nga pika e bardhë, sulmuesi Gruda do të tregohej I saktë duke shënuar. Shtatë minuta më vonë, Qardaku do të shënonte golin e dytë me një goditje të shkëlqyer pas krosit të ardhur nga e djathta prej Fikajt.

Ky I fundit ndërkohë, në minutat shtesë të pjesës së parë të ndeshjes, do të shënonte edhe golin e tretë.

Me fitoren e thellë 3-0 do të mbylleshin 45 minutat e para të kësaj ndeshje.

Në të dytat, kuqeblutë e trajnerit Zmijani mundohen të administrojnë rezultatin megjithatë në minutën e 72-të do jetë Lisaj që do ta dërgonte sërish topin në rrjetë duke shënuar golin e katërt.

Pas këtij goli nuk do të kishte më zhvillime në fushë sepse të dyja skuadrat pajtohen me rezultatin e arritur.

Pas vërshëllimës së fundit të arbitrit, në kampin shkodran ka shpërthyer festa ndërkohë që emocionet më të mëdha janë përjetuar në momentin e dorëzimit të kupës në duart e kapitenit Rahova.

Vllaznia U-19 kësisoj tregon edhe njëherë tjetër se vazhdon të dominojë me këtë grupmoshë duke fituar çdo trofe të mundshëm që akordohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.