Vllaznia U-19 ka arritur të marrë një fitore të thellë në shifrat 2-5, në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë ndaj Dinamos. Kjo ndeshje është luajtur mesditën e sotme në Qendrën Kombëtare Sportive në Kamëz dhe në fund të saj, kanë qenë shkodranët, të cilët kanë dalë të fituar. Ata kanë besuar deri në fund tek fitorja dhe ia kanë dalë ta bëjnë ndaj ekipit kryeqytetas të Dinamos.

Sa i takon ndeshjes, Vllaznia ka kaluar e para në avantazh me anë të Cungut në minutën e 15-të, pas një penalltie të realizuar nga ana e tij. Në pjesën e parë, shkodranët do të shënonin edhe dy gola të tjerë, me Zaganjorin në të 23-tën dhe Halilin në të 27-tën, duke shkuar të sigurtë në një farë mënyre në dhomat e zhveshjes. Me këto gola dhe me rezultatin 0-3 për Vllazninë, do të mbyllej pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, menjëherë në startin e saj, kuqeblutë e trajnerit Edmond Doçi, do të pësonin dy gola njëri pas tjetrit, teksa Dinamo arriti të shënojë me anë të Hisos në të 50-tën dhe Rrapit me penallti në të 53-tën, ç’ka do ta ngushtonte rezultatin në 2-3.

Megjithatë, Vllaznia U-19 nuk e kishte thënë akoma fjalën e saj të fundit, teksa në të 86-tën dhe të 90-tën, shënon edhe dy gola të tjerë me Dodajn dhe Kodrën, me këtë të fundit që realizon nga pika e bardhë e 11-metërshit. Penalltia u shkaktua nga portieri i Dinamos, Lenja, i cili mori kartonin e dytë të verdhë dhe la ekipin e tij me 10-futbollistë në ato pak minuta që kishin mbetur.

Pas këtij episodi, nuk do të kishte kohë më për asgjë në këtë ndeshje, pasi i gjithë takimi u mbyll në shifrat 2-5 për Vllazninë U-19. Pas kësaj ndeshje, ekipi shkodran renditet në kreun e tabelës së klasifikimit me katër pikë, duke kryesuar. Megjithatë, kampionati sapo ka nisur dhe janë edhe shumë ndeshje të tjera deri në fund. /Maringlen ZHIVANI/

Dinamo-Vllaznia U19 2-5

Golat për Vllazninë: Cungu (pen) 15’, Zaganjori 23’, Halili 27’, Dodaj 86’, Kodra (pen) 90’

Vllaznia U-19: Jukaj, Rroku, Nika, Kapllanaj, Repaj, Muhaj, Zaganjori, Cungu, Dodaj, Halili, Shimaj (u aktivizuan: Kodra, Kulla, Guri, Brahimi, Matija) Tr: Edmond Doçi