19 vjeçarët e Vllaznisë fitojnë edhe trofeun e dytë të këtij sezoni. Pas Kupës së Shqipërisë të fituar dy muaj më parë, sot shkodranët bënë të tyrin edhe trofeun e “Kampionit të Grupit A” ose siç konsiderohet ndryshe “Kampion i Veriut”.
Duhet edhe një ndeshje për t’u mbyllur faza e tretë e kampionatit por pas takimeve të sotme, diferenca e Vllaznia U19 me Shkëndinë, rivalen e saj kryesore ka shkuar në pesë pikë dhe prandaj nuk mund të arrihet më prej saj, duke e bërë të pavlefshëm ballafaqimin mes tyre javën e ardhshme në Kamëz.
Vllaznia U19 sot ka fituar me rezultatin 4-1 ndaj Shënkollit në ndeshjen e luajtur në “Reshit Rusi”. Në pjesën e parë ka qenë mesfushori Rigers Xhahysa që ka shënuar dhe me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë.
Në të dytën do të ishte sërish Xhahysa që do të dyfishonte shifrat në minutën e 51-të dhe tre minuta më vonë do të ishte Alfons Kulla që do të trefishonte shifrat.
Për miqtë do të mendonte Danaj për të ngushtuar shifrat në ’59 me 11-metërsh megjithatë mbrojtësi Jozefin Rrasa në minutën e 70-të do të shënonte edhe golin e katërt dhe të fundit të ndeshjes. Përfundimisht 4-1 për Vllaznia U19 që ngjitet në kuotën e 65 pikëve pas kësaj jave ndërsa Shkëndia ka barazuar 2-2 me Tiranën dhe mbetet në kuotën e 60 pikëve.
© shkodrasport.com