Vllaznia U21 bën sërish një tjetër hap të gabuar edhe në ndeshjen e rradhës për kampionat, teksa nuk ka marrë më shumë se sa një pikë nga barazimi 2-2 me Tiranën. Një barazim ky që duhet t’i ketë lënë të kënaqur shkodranët, për mënyrën se si shkoi ndeshja, duke qenë se ata shënuan golin e barazimit vetëm në minutat e fundit të takimit.

Ndeshja është luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Skënder Halili” dhe është shoqëruar nga një rivalitet i madh në mes dy ekipeve. Të parët që kanë kaluar në avantazh kanë qenë shkodranët, pikërisht me anë të futbollistit Armir Osmani.

Kështu me këtë rezultat, do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën duhet thënë se Vllaznia U21 e uli ritmin e lojës së saj dhe nga kjo përfitoi Tirana, e cila arriti të shënonte golin e barazimit. Ka qenë futbollisti Nikqi që në minutën e 49-të e ka dërguar topin në rrjetë.

Pak minuta para fundit të ndeshjes, Tirana gjen avantazhin në minutën e 87’ me anë të Zhivanit, që shfrytëzon një shpërqendrim të mbrojtjes së Vllaznisë, duke i kaluar ata në avantazh.

Megjithatë, në minutat e fundit të takimit, skuadra e Sibson është e pakënaqur me këtë gjë dhe hidhet në sulm në kërkim të golit të baraspeshës dhe arrin të gjejë golin e barazimit në minutën e fundit me anë të Pusit.

Përfundimisht, ndeshja mbyllet 2-2 dhe me këtë barazim, Vllaznia U21 ngjitet në koutën e 26 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje, ndërkohë që Tirana është e katërta po me 26 pikë, po aq sa edhe Vllaznia.
Maringlen ZHIVANI