Kategoria Superiore U21 ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjet e rradhës, teksa Kukësi ka mposhtur Vllazninë. Kështu, pas një serie fitoresh të njëpasnjëshme, ekipi i Vllaznisë U-21 u frenua sot me një humbje në transfertë, duke u mundur me rezultatin 3-0.

Kuksianët iu falën golave të Veriut dhe Xhambazit në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, Tabaku shënoi për blutë e veriut. E gjendur në disavantazh të dy golave në pjesën e parë, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Dean Sibson bën të gjitha përpjekjet për të barazuar rezultatin në pjesën e dytë, por nuk ia arrin dot qëllimit.

Në ndeshjen e sotme, te kuqeblutë kanë munguar lojtarët e ekipit të parë dhe kjo ka ndikuar së tepërmi në skuadër. Shkodranët luajtën me formacionin e tyre më të mirë që kishin në dispozicion: Shkoza, Moleci, Leka, Shimaj, Pusi, Ivziku, Dulaj, Peku, Hoxha, Deda dhe Osmani.

Duhet thënë se ndeshja e luajtur pasditen e sotme në Tiranë, ka “prezantuar” një Vllazni larg imazhit të saj të javëve të mëparshme.

Tashmë, kjo humbje e sotme në transfertë bën që Vllaznia të rrezikojë të lëshojë kreun e kampionatit, pasi Bylisi ndodhet në vendin e dytë, me një pikë më pak dhe një ndeshje më pak të luajtur. Ndërkohë, me fitoren e regjistruar sot ndaj Vllaznisë, Kukësi shkon në kuotën e 20 pikëve duke marrë vendin e pestë në renditje.
Maringlen Zhivani