Skuadra e parë e Vllaznisë po lufton për një vend në Europë, teksa jemi edhe një ndeshje larg fundit të kampionatit. Aktualisht, kuqeblutë ndodhen në vendin e pestë me 47-pikë, një më pak se vendi i katërt që mbahet nga Teuta.

Ndërkohë, nëse skuadra e parë po lufton për një vend në Europë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ekipin e U-21. Skuadra e Vllaznisë për këtë grupmoshë ka arritur të shpallet kampione në Superioren e 21-vjeçarëve për sezonin 2022-2023.

Një sukses i madh ky nga futbollistët kuqeblu, të cilët kanë koleksionuar edhe titullin e parë në histori në këtë grupmoshë, duke mbajtur lart krenarinë e Shkodrës për sukseset me ekipet e Akademisë Vllaznia. Ndërkohë, ditën e nesërme Vllaznia U-21 do të shpallet kampione zyrtarisht, pikërisht në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës në “Loro Boriçi”, ku madje pritet të ketë edhe një ceremoni festive për ekipin kuqeblu.

Natyrisht që, shpresohet që edhe tifozët shkodranë ditën e nesërme të jenë sa më të shumtë në numër për të festuar së bashku edhe me futbollistët titullin e parë në histori për grupmoshën e 21-vjeçarëve.

Ndeshja mes Vllaznisë dhe Tiranës do të luhet ditën e nesërme, duke nisur nga ora 17:00 në “Loro Boriçi”, me ekipin kuqeblu që do të shpallet kampion dhe do të festojë këtë titull me një ceremoni festive.
Maringlen ZHIVANI