Vllaznia U21 ka marrë një tjetër fitore në kampionat dhe tashmë është ngjitur në krye të klasifikimit në kuotën e 24 pikëve duke mbajtur vendin e pare në renditje, si kryesuese.

Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri anglez Dean Sibson kanë luajtur në Shkodër ndaj ekipit të Apolonisë dhe kanë fituar me rezultatin e thellë 5-0.

Ka qenë futbollisti Elsaid Xhilaj që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 9’ dhe katër minuta më pas ka ardhur edhe goli i dytë shënuar nga Eraldo Deda.

Goleada do vijonte dhe në pjesën e parë do kishte vend edhe për golin e Armir Osmanit, duke e dërguar rezultatin në shifrat 3-0. Ndërkohë, në pjesën e dytë do të shënoheshin edhe dy gola të tjerë me autorë Uheid Hoxhën dhe Joald Ivzikun dhe në këtë mënyrë e gjithë ndeshja është mbyllur me rezultatin 5-0.

Në këtë mënyrë, Vllaznia U21 vijon serinë e rezultateve pozitive dhe padyshim që pretendon të jetë fituese e kampionatit të 21-vjeçarëve.
Maringlen ZHIVANI