Deri më tani, ndeshja e parë e turit të dytë të Conference League, Vllaznia-Universitatea Kraiova nuk do të transmetohet në asnjë TV. Lajmi në fjalë është befasues, por edhe trishtues për shumë e shumë dashamirës të futbollit shkodran, që janë mësuar t’i ndjekin ndeshjet e skuadrës së zemrës përmes ekranit të TV.

Lajm ky që në fakt, nxiti jo pak interesin e mijëra tifozëve shkodranë që nxituan të sigurojnë një biletë online, për të ndjekur live në tribunat e stadiumit “Loro Boriçi” sfidën në fjalë.

“Shkodra Sport” ka pasur kontakte me drejtuesit më të lartë të KF Vllaznia në lidhje me këtë çështje dhe deri më tani, është konfirmuar se sfida Vllaznia-Universitatea Kraiova, nuk do të transmetohet në TV.

Sipas drejtuesve kuqeblu, ofertat ekonomike nga operatorët televiziv, janë shumë të ulëta, që jo vetëm nuk sjellin dobi për arkat e klubit, por përkundrazi “dëmtojnë” në një farë mënyre, duke ndikuar në frenimin e prezencës së tifozëve në stadium.

Në fakt, në vazhdim shpresohet që mes operatorëve televiziv dhe drejtuesve të KF Vllaznia, të gjendet një gjuhë e përbashkët, në mënyrë që të plotësohen dëshirat dhe kërkesat e mijëra sportdashësve shkodranë, sidomos të atyre që jetojnë jashtë vendit për ta ndjekur live këtë ndeshje.
Maringlen ZHIVANI