Alban Rexha, ish-futbollisti i cili njihet si një tifoz i zjarrtë i Tiranës, nga këtu e tutje mund të ushtrojë edhe detyrën e trajnerit. “Ujku”, siç njihet nga të gjithë që kur mori pjesë në emisionin “Kafazi i Artë”, ka marrë liçensën përkatëse nga FSHF dhe tashmë mund të ushtrojë detyrën e re, por larg stadiumeve shqiptare.

Kështu, përtej aftësive dhe njohurive që ka për të ushtruar këtë detyrë, si një ish-futbollist, mbi Rexhën rëndon një dënim i përjetshëm, pikërisht nga FSHF që i ka dorëzuar atij liçensën e trajnerit.

Në vitin 2019, Rexha ishte mes një grupi personash, të cilët u përjashtuan përgjithmonë nga të gjithë stadiumet shqiptare nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, si pasojë e përfshirjes në trazirat gjatë derbit mes Tiranës dhe Partizanit, ku tifozëritë e dy skuadrave u përleshën në fushën e “Selman Stërmasit”.

Një vendim i cili në fakt pothuajse nuk zbatohet asnjëherë, pasi Rexha është vazhdimisht në tribuna në ndeshjet e skuadrës së Tiranës, me të cilën është tifoz, por jo vetëm.
Maringlen ZHIVANI