Vllaznia prej disa ditësh tashmë ndodhet në Medjugore ku po zhvillon fazën përgatitore. Shkodranët janë larguar nga qyteti verior për të zhvilluar në fazë verore në kushte sa më optimale. Kjo edhe në kuadër të turit të parë të Conference League. Ku kuqeblutë kanë mësuar edhe kundërshtarin e parë të kualifikuesve.

Përballë do jetë ekipi nga Islanda i Valur. Me ndeshjen e parë që do zhvillohet në ishullin nordik në datën 11 korrik. E ndërsa ajo e kthimit do zhvillohet në “Loro Boriçi” në datën 18 korrik. Një dopio duel ku kuqeblutë kanë ambicie për të kaluar më tej. Dhe të zhvillojnë një performancë sa më pozitive në këtë verë europiane.

Por ndërsa shkodranët po zhvillojnë fazën përgatitore në Bosnje, islandezët janë në kulmin e kampionatit. Valur ndodhet në një formë të shkëlqyer fizike, por edhe sportive. Kjo pasi në javën e 12-të të kampionatit në Islandë kanë fituar me rezultatin 1-5 në transfertën ndaj Vestri. Duke u ngjitur kështu në vendin e 3-të të renditjes.

Me 25 pikë të grumbulluara, ata janë vetëm 2 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Vikingur. Po ashtu me 30 gola të shënuar, ekipi i Valur ka sulmin më të mirë në kampionat. Statistika që tregojnë për forcën e tyre dhe masat që duhet të marrë Vllaznia ndaj një ekipi që momentalisht duket në formë shumë optimale.
Endri ÇINARI