Shkodra është qyteti që gjithmonë ka furnizuar me shumë futbollistë të gjitha skuadrat e Superiores. Pas një vëzhgimi të “Shkodra Sport”, rezulton se në klubet e Superiores në këtë sezon luajnë 15-futbollistë shkodranë.
Këta lojtarë militojnë në skuadra si Partizani, Bylis, Teuta, Laçi, Tirana, Kastrioti dhe Egnatia. Në fakt, jo më kot, qyteti i Shkodrës cilësohet si djepi i futbollit shqiptar.
Kështu, ekipi që ka shkodranët më të shumtë në gjirin e saj është Teuta, aty ku bëjnë pjesë katër të tillë, të cilët janë Ildi Gruda, Rubin Hebaj, Uheid Hoxha dhe Klevis Bebeziqi. Për të vazhduar më pas me Kastriotin, teksa tek krutanët luajnë tre shkodranë, pikërisht Abaz Karakaçi, Edon Hasani dhe Franc Marinaj.
Nga dy shkodranë luajnë edhe tek Partizani, Bylis dhe Egnatia. Më konkretisht, tek të kuqtë janë Marçelino Preka dhe Klevis Dragaj. Ndërkohë, tek ballshiotët luajnë Aleksandër Trumçi dhe Eridon Qardaku, ndërsa tek rrogozhinasit dyshja tjetër, Alen Sherri dhe Abdurraman Fangaj.
Ndërkohë, tek Laçi dhe Tirana, Shkodra “përfaqësohet” me vetëm nga një futbollist për secilën skuadër. Tek kurbinasit luan Sebastjan Spahiu, ndërsa tek bardheblutë pjesë e këtij ekipi është portieri i ri, Tomas Kiri.
Jo pak, por 15-futbollistë shkodranë që luajnë në klubet e tjera të Abissnet Superiore ose për ta thënë ndryshe më tepër se një formacion me lojtarë shkodranë. Në fakt, befas lind pyetja: A mos ndoshta vallë këta futbollistë do të mund t’i nevojiteshin ngjyrave të Vllaznisë?
Ndoshta, shumica prej tyre për të mos thënë të gjithë, padyshim që po, pasi bëhet fjalë për futbollistë cilësorë në Shqipëri, teksa nga njëra anë më mirë të kesh në organikë lojtarë shkodranë dhe të prodhimit tënd “bio” se sa disa të tjerë të huaj me kosto shumë më të mëdha, siç janë Vulaj, Kaina, Heriç dhe Aralica, që nuk po i shërbejnë për asgjë Vllaznisë.
Megjithatë, për të ndryshuar qasje, asnjëherë nuk është vonë. Në fakt, ndonjëherë është edhe më mirë vonë se kurrë apo ndryshe siç thonë anglezët: “Never say never”… /Maringlen ZHIVANI/
Formacioni me shkodranët që luajnë në ekipet e tjera të Superiores (3-5-2): Sherri, Trumçi, Preka, Fangaj, Gruda, Spahiu, Karakaçi, Hasani, Qardaku, Hebaj, Dragaj (në stol: Kiri, Hoxha, Bebeziqi, Marinaj)