Ballafaqimi i së dielës në “Loro Boriçi” në mes Vllaznisë dhe Teutës po pritet me mjaft interes në kampin shkodran. Vlerësimi për të duket se është maksimal dhe objektivi i vetëm është fitorja e këtij takimi.
Kuqebluve nuk u bën punë as barazimi në këtë takim, por nga ana tjetër, edhe bregdetarët do synojnë vetëm fitoren ngaqë nuk po kalojnë një moment të mirë dhe duhet të dalin sa më shpejt prej tij.
Stafi teknik dhe trajneri Shkëmbi duken të rrezikuar nga kjo gjë dhe burime pranë skuadrës durrsake bëjnë të ditur se në rast humbje të këtij takimi, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë shkarkim të mundshëm të tij.
Megjithatë Vllaznia duket më e motivuar për ta fituar këtë ndeshje. Me përjashtim të Hygor që siç dihet do të mungojë në këtë takim, të gjithë titullarët e tjerë të skuadrës do të jenë në dispozicion të trajnerit Jonuz.
Ky i fundit kuptohet që prej ditësh është duke menduar për mënyrën si do ta ndërtojë skuadrën dhe skemën e lojës me të cilën do të synojnë të kalojnë ekipin e Teutës. Mendohet që dënimi i tribunës qendrore nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit të mos ndikojë në praninë e tifozëve të Vllaznisë për mbështetjen e skuadrës së tyre.
Tribuna C dhe D do të jenë të hapura për ta dhe do të kenë mundësinë të ndihmojnë futbollistët për ta kaluar me sukses këtë takim. Drejtuesit e klubit i kanë vënë kusht skuadrës për ta fituar ndeshjen të dielën dhe për t’u larguar nga vendet e fundit të renditjes sepse çdo rezultat tjetër, padyshim që i ndërlikon jo pak pozitat e saj.