Në Federatën Shqiptare të Volejbollit është hedhur shorti për Kampionatet e meshkujve dhe femrave për të rritur si dhe janë përcaktuar datat për fillimin e sezonit të ri. Tek meshkujt Kampionati është përcaktuar të nisë me 15 tetor. Skuadra e Vllaznisë, si zakonisht vitet e fundit edhe kësaj here do të jetë një nga ekipet pretendente për fitimin e trofeve.

Kuqeblutë do ta nisin sezonin e ri menjëherë me një sfidë të vështirë. Shkodranët do të udhëtojnë drejt Tiranës për tu përballur me Studentin vendas , ekipin Nënkampion të vendit. Java e dytë për Vllazninë do të zhvillohet në Shkoder nga ku do të presin bardheblutë e Tiranës. Më pas, në javën e tretë volejbollistët kuqeblu kanë një tjetër sfidë të vështirë teksa do të luajnë në transfertë ndaj Teutës, skuadra Kampione në fuqi. Në javën e katërt Vllaznia pret Elbasanin në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” ndërsa java e fundit e fazës së parë do të jetë në Korçë ndaj Skënderbeut vendas . Ndryshe nga vitet e tjera kësaj here marrin pjesë vetëm 6 ekipe duke qenë se Dinamo e Flamurtari janë tërhequr për mungesë fondesh. Sërish në ndryshim me sezonet e fundit Kampionati zhvillohet me 4 faza nga të cilat dy të parat do të luhen brenda 20011-ës dhe faza e tretë dhe e katërt gjatë vitit të ardhshëm. Pas katër fazave, 4 skuadrat që do të renditen të parat në klasifikim do të luftojnë me njëra-tjetrën për titullin kampion në zonën “Play Off”. Në këtë mënyrë këtë sezon nuk do të ketë më “Top Volej Liga”. Kështu ekipi që do shpallet Kampion nuk zhvillon më shumë se 26 ndeshje në këtë sezon. Vllaznia për meshkuj kërkon të jetë një nga pretendentet për trofe ashtu siç ka ndodhur dy vitet e fundit ku kuqeblutë kanë rivalizuar denjësisht. Pavarësisht dy largimeve të Endri Juknit e Renato Kolës drejt Teutës, shkodranët kanë akoma mundësi për të qenë mes më të mirëve të volejbollit. Ndërsa për të rinjtë akoma nuk është hedhur shorti dhe nuk është përcaktuar as data e nisjes së sezonit të ri të volejbollit.