Kombëtarja e Shqipërisë do të marrë pjesë në Kampionatin Europian të 18 vjeçarëve që do të zhvillohet në sportin e shahut. Gara e rëndësishme për të rinj do të zhvillohet në shtetin e Bullgarisë në qytetin e Albena. Pjesë e kuqezinjve do të jetë edhe shahisti që vjen nga skuadra e Vllaznisë. Bëhet fjalë për të talentuarin Franc Ashiku.

Trajner i Shqipërisë së 18 vjeçarëve do të jetë Shkëlqim Çela. Kampionati do të zhvillohet për 11 ditë me radhë nga data 10 shtator deri me 21 shtator. Aty do të marrin pjesë të gjitha vendet e Europës, ndër to edhe Shqipëria. Ndaj gara do të jetë e fortë sepse pjesëmarrës janë shahistët më të mirë të kontinentit që kanë arritur rezultate të larta në evente Ndërkombëtare. E megjithatë shkodrani Ashiku nuk e ka problem konkurencën, ose të pakten nuk trembet nga ajo dhe synimi i tij është i qartë: të arrijë sa më lart në garën mes 18 vjeçarëve në lojën e kuadrateve bardh e zi. Natyrisht që nuk është një mision i lehtë, por shkodrani ka besim në vetvete se mund t’ia arrijë qëllimit që i ka vënë vetes. “Jam i lumtur që do të marr pjesë në një garë kaq të rëndësishme. E di se do të jetë e vështirë por kam shumë besim se mund të bëj një paraqitje të mirë dhe të marr një rezultat pozitiv përballë moshatarëve të mi në Bullgari. Është një garë që ka rivalitet të madh, në të cilën duhet shumë kujdes e vëmendje për të bërë më të mirën. Do të jem i përqëndruar maksimalisht për të kapur majat e Kampionatit U-18 në shah. Megjithatë jam mësuar me të tilla aktivitete dhe shpresoj që eksperienca dhe rezultatet pozitive që kam marrë më parë të më ndihmojnë në mënyrë që edhe kësaj here të nderoj Shkodrën e Shqipërinë” – eshte shprehur Ashiku. Kampionati do të jetë individual dhe jo ekipor, gjë e cila i jep më shumë shanse shahistit shkodran për të arritur të renditet në vendet e nderit. Ashiku, Kampion i padiskutueshëm në Shqipëri, shpesh herë në aktivitete të rëndësishme Ndërkombëtare ka arritur të renditet pozitivisht dhe jo rrallë herë nga specialistë vendas e të huaj është cilësuar si një shahist më të ardhme të suksesshme.