U mendua se do të ishte ndryshe, por ndeshja e parë eliminatore e turit të play-off në mes Partizanit dhe Vllaznisë në volejboll për femra, nuk ka rezultuar si një sfidë rivalesh.

Ekipi shkodran pavarësisht momentit të mirë që po kalonte sërish, pasditen e sotme ka treguar tjetër gjë në ndeshjen ndaj vajzave të kuqe duke mos arritur dot të shfaqin vlerat e tyre të vërteta.

Fillimi i setit të parë është i ekuilibruar, ndërsa ka regjistruar barazime të rezultatit 1-1, 5-5, 6-6, 7-7. Dhe vetëm pas avantazhit 8-7, Partizani ka nisur shkëputjen duke kryesuar 18-13, 20-16, 23-18 dhe në fund 25-19. Vllaznia nuk duket se është në ditën e saj më të mirë, edhe pse ka pasur mbështetjen e fansave të ardhur nga Shkodra.

Dhe këtë gjë e shfrytëzon Partizani, që setin e dytë e ka fituar 25-12 dhe të tretin 25-14. Në setin e tretë, teksa në shërbim ishte kubanezja Maso Kasalis, e cila e ka marrë mbi shpinë Partizanin e vetme, në rezultatin 17-11 ka pasur një tentativë agresioni të trajnerit Tare ndaj pankinës së Vllaznisë, sepse tekniku i shkodraneve Mark Kroqi ka pretenduar për jashtë.

Karton i verdhë për Taren, ndërsa më pas gjithçka ka qenë nën dominimin e Partizanit, ku janë dalluar Bajramogly, Beshiri, Gjermeni e Tuci. Vllaznia ka pasur defekt në pritjen e topit të parë, por dhe në sulm, ndërsa të kuqet jo rrallëherë kanë shfrytëzuar kundërsulmin për të goditur pranë rrjetës dhe për të marrë pikë. Ne dy setet e tjera Vllaznia nuk ben asgje dhe i humb lehtesisht ato me shifrat 25-12 dhe 25-14 dhe kesisoj krejt ndeshjen 3-0.

Partizani ka hedhur hapin e parë drejt kalimit në gjysmëfinale të kampionatit ndërsa Vllaznisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të provojë të barazojë numrin e ndeshjeve duke fituar pasditen e së premtes në ndeshjen që do të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
© shkodrasport.com