Dështimi i radhës i karrierës së tij dhe padyshim më i bujshmi, ai me Shqipërinë, mendohej se do t’i vinte kapak eksperiencave të Kristian Panuçit si trajner. Kushdo që ka ndjekur nga afër punën e teknikut italian me Shqipërinë, sigurisht që nuk ka pasur si të bindet me aftësitë e tij si në drejtim, ashtu edhe në menaxhimin e situatave.

Por duket se te Roma e shohin krejtësisht ndryshe, pasi klubi kryeqytetas ka vendosur t’i besojë atij një projekt shumë të rëndësishëm.
Mungon vetëm zyrtarizimi por pritet që shumë shpejt, Kristian Panuçi do të ulet në pankinën e skuadrës së U23 të Romës, ekipit të të rinjve që do të regjistrohet në Serinë C (Lega Pro) në sezonin e ardhshëm, siç ka bërë Juventusi në këtë vit.

Klubi do të vendosë në këtë ekip të rinjtë e talentuar dhe Panuçi do të ketë për detyrë që t’i përgatitë ata për të ardhmen.Akordi është arritur pak ditë pasi ai u shkarkua nga Shqipëria dhe Panuçi do të marrë me vete atje pjesëtarë të stafit të tij me të cilët bashkëpunoi te kuqezinjtë, duke filluar nga Marko Kaseti.

Te Roma beosjnë se Panuçi mund të shërbejë më shumë në këtë rol si edukues i disiplinës për të rinjtë, duke u treguar atyre se si duhet të sillen profesionistët që më pas të jenë gati për ekipin e parë. /vipsport/