Në fitoren e djeshme ndaj Mamurrasit me rezultatin 3-0 në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, mbrojtësi Endri Vrapi ka lënë gjurmën e vet sepse ka qenë shënuesi i golit të tretë. Në një prononcim për mediat pas ndeshjes, ai ka bërë të ditur se fitorja ndaj Mamurrasit ishte e pritshme edhe për atë se takimi ishte vlerësuar ashtu si duhet nga ekipi shkodran. “E kishim vlerësuar këtë ndeshje sepse kërkon t’i ruheshim ndonjë të papriture dhe vetë rezultati i arritur e tregon këtë. Mamurrasi nga ana e tij u përpoq por përballë kishte një skuadër si Vllaznia që vetëm me emër të sfidon dhe për këtë arsye, ishim ne që fituam”- ka thënë ai.

Megjithatë, vëmendja kryesore e kuqebluve sigurisht që nuk ka qenë tek kjo ndeshje por tek ajo e së shtunës për kampionat me Skënderbeun në Korçë dhe këtë e pranon edhe Vrapi. “Me mendje sigurisht që jemi tek ndeshja e rradhës me Skënderbeun. Nuk është ndeshje vendimtare pavarësisht se luajmë me skuadrën kampione në fuqi megjithatë janë vetëm javët e para të kampionatit dhe duhet të shohim përpara. Kemi treguar se po bëjmë ndeshje të mira dhe prandaj nuk do ishte çudi nëse do të merrnim pikë edhe në Korçë”- ka thënë mbrojtësi me shumë përvojë.Gjatë ndeshjeve të këtij kampionati, Vrapin e kemi parë duke luajtur edhe në pozicione të tjera por për të kjo nuk është asnjë problem. Madje, ai vetë bën edhe një deklaratë shumë interesante në lidhje me këtë çështje. “Për mua nuk ka asnjë rëndësi se ku luaj. E kam bërë edhe më përpara këtë gjë. Nëse skuadra ka nevojë, luaj edhe si portier”- ka thënë ai. Endri Vrapi po luan sezonin e tij të dytë me Vllazninë dhe sigurisht që me paraqitjet e tij ka treguar se është një element shumë i vlefshëm për këtë ekip, madje në takimin e fundit ndaj Mamurrasit ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të kuqebluve.
© shkodrasport.com