Pas Jurgen Klopp dhe Liverpool, një tjetër emër i madh i futbollit europian do të ndryshojë trajner në fund të sezonit. Xavi ka konfirmuar se do të largohet nga Barcelona më 30 qershor. “Unë kam folur tashmë për këtë me Laporta, i thashë klubit dhe ekipit se duhet një shkundje, një ndryshim.

Mendoj se me lamtumirën time, si klubi, ashtu edhe lojtarët do të jenë më të qetë, është një sens i shëndoshë. Është vendim i parevokueshëm. Thënë këtë, është e ditur që do të jap gjithçka në 4 muajt e ardhshëm”, – tha Xavi në konferencën për shtyp, pas humbjes së rëndë në shtëpi ndaj Villarrealit.

Flamurtar i klubit si lojtar, Xavi u bë trajner Blaugrana në verën 2021. Një vit i parë jo tërësisht pozitiv, me eliminim nga grupet e Champions League dhe një vend i dytë në La Liga, por një sezon i dytë i suksesshëm: sukses në kampionat dhe fitore e Superkupës së Spanjës (por një tjetër eliminim nga grupet e Champions League).

Pasi zuri vendin e parë në grupin H të Ligës së Kampionëve, këtë sezon, Barça do të sfidojë Napolin në 1/8 finale. Katalanasit kanë bërë paraqitje të këqija në La Liga. Pas 21 ndeshjesh, ata janë tashmë 10 pikë prapa liderit, Real Madridi.

“Kam ndjesinë se është gjëja e duhur, ndihem më i lirë pasi e komunikoj. Nuk është çështje energjie, e kam këtë, por ndryshimi i drejtimit që i nevojitet skuadrës. Kanë mbetur edhe katër muaj dhe jam i sigurt se ende mund ta themi fjalën tonë në La Liga. Ndjenja ime është se Barça do të përmirësohet me lamtumirën time në fund të sezonit”, – vazhdoi Xavi.

Trajneri katalanas e analizon qartë vendimin: “Nuk dua të jem problem, e vendos Barcelonën mbi gjithçka. Besimi tek unë deri tani ka qenë total, thuajse prekës. Sidoqoftë, duhet një ndryshim drejtimi për të zhbllokuar skuadrën. Kjo do të qetësojë gjithçka që rri pezull mbi klub”.

Po sikur Barça të kishte fituar kundër Villarrealit? “Unë ndoshta do ta kisha vonuar njoftimin, por herët a vonë do ta kisha bërë. Zgjedhje e padrejtë? Nuk e di, e mora me zemër. Nuk i kisha thënë ende ekipit, do të flas me lojtarët në orët e ardhshme”, – saktësoi trajneri katalanas.

Çfarë do të bëjë Xavi në të ardhmen? Ja përgjigja e tij: “Nuk e di, do të qëndroj pak në shtëpi me familjen, sepse puna ime si trajner më bën të kaloj më pak kohë me ta dhe nuk mund të jem aq egoist”.