Altin Xhahysa, ish-futbollisti kampion me Vllazninë, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ka analizuar skuadrën shkodrane në dy ballafaqimet e Ligës së Konferencës me rumunët e Universitateas.
Ai tregoi edhe pritshmëritë e Vllaznisë në sezonin e ri dhe besimin se skuadra do të bëjë shumë më mirë në edicionin e shkuar, që u mbyll me fitimin e Kupës së Shqipërisë. Ish-mesfushori vlerësoi maksimalisht punën në aspektin taktik që ka bërë dhe do të bëjë trajneri Mirel Josa në Shkodër. Xhahysa e fut Vllazninë te pretendentët për titull.
Altin, si i vlerësoni përballjet e Vllaznisë në Ligën e Konferencës?
Vllaznia bëri maksimumin e saj më dy ndeshjet me rumunët. E them këtë për arsyen se duhet të merren parasysh të gjitha aspektet si dhe diferencat financiare që kishin dy skuadrat. Jo vetëm kjo, por edhe aspekte të tjera, prandaj them që Vllaznia bëri maksimumin.
A besonit që Vllaznia mund ta kalonte Universitatean e Kraiovës?
Besimi nuk më mungonte, pasi në futboll nuk mund të futesh i dorëzuar. Me rezultatin e takimit të parë gjithçka ishte e hapur. Po ashtu edhe mbyllja e pjesës së parë në barazim rriti besimin, por e thashë se te të dyja skuadrat kishte diferenca. Pra, ishin momentet që bënë diferencën.
Çfarë ju bëri përshtypje te dy paraqitjet e kuqebluve?
Ajo që më ra më shumë në sy ishte rreshtimi në fushë i lojtarëve, vendosjen që kishte bërë trajneri Josa. Ai i kishte vendosur shumë mirë duke pasur parasysh kundërshtarin. Repartet ishin vendosur mirë për arsye se nuk i lanë hapësirë kundërshtarit. Dihet që futbolli shqiptar vuan shumë anën e taktikës dhe qëndrimit në fushë të lojtarëve. Ndoshta, në momente të veçanta duhet të bënin pak më tepër presion. Por, trajneri për mendimin tim e realizoi shumë mirë me vendosjen e ekipit prapa, se duhet të jemi realist për forcën e ekipit tonë.
Ku duhet të rikuperojë më shumë ekipi për sezonin e ri?
Për sa u përket reparteve, për mendimin tim në mesfushë mungon një organizator i mirë që të luajë topin. Për sulmin jam i mendimit se me Kainën do të kemi rezultate në sezonin e ri.
Sipas jush, a ka nevojë Vllaznia për përforcime për sezonin e ri?
Trajneri e di më mirë se ku ka nevojë më shumë ekipi për sezonin e ri. Unë e thashë, një mesfushor organizator, që luan topin, do të ishte më se i domosdoshëm.
A ka kohë për përmirësim te shkodranët?
Deri në startin e kampionatit janë edhe disa ditë në dispozicion për përgatitje. Mendoj se lojtarët që nuk janë në lartësinë e duhur fizike do të arrijnë që të rikuperojnë forcat dhe të jenë të gatshëm.
A ka potencial Vllaznia për të qenë konkurruese për titull në sezonin e ri?
Për sa i përket kampionatit them se do të jemi shumë më mirë se vjet. Duke përmendur ato që thashë më lart, ekipin e shikoj më ndryshe në vendosje dhe taktikë. Trajneri po punon dhe po ashtu shikoj edhe lojtarët, nisur nga kjo them që do të kemi rezultate të mira dhe shpresoj që të jemi pretendentë për titullin kampion. I uroj shumë suksese stafit dhe lojtarëve dhe një vit të mbarë futbollistik.(Marre nga Panorama Sport)