Nga dita e sotme dhe në vazhdim, ekipet e Akademisë Vllaznia kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Kështu siç dihet tashmë, drejtuesit e klubit Vllaznia janë detyruar të bëjnë një riorganizim të ri sa i përket trajnerëve të ekipeve zinxhirë.

Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, bën të ditur disa nga lëvizjet më të fundit në stafet teknike të skuadrave të grupmoshave shkodrane. Neziri u shpreh se në krye të ekipeve do të jenë trajnerë me eksperiencë, ndërsa theksoi se në sezonin e ri futbollistik, ekipet e Akademisë Vllaznia do të jenë pretendente në çdo kompeticion.

“Si çdo vit, edhe këtë sezon kemi pasur ndryshime në stafin teknik të trajnerëve. Nuk është e rëndësishme pozicioni, por puna që bën në ekip, sepse çdo ekip ka rëndësinë maksimale në akademinë tone dhe kjo vërehet ku në moshën 9-vjeçare kemi trajnerë me eksperiencë dhe shumë tituj, siç është Luan Zmijani dhe Brikeno Bizin te U-13, trajneri që punon në mënyrë të jashtëzakonshme teknikisht, që është baza për fëmijët që fillojnë futbollin.

Akademia jonë, çdo vit përveç futbollistëve, evidenton edhe trajnerët e rinj, që kanë dhënë për ekipin e Vllaznisë ndër vite, siç është edhe emërimi i Gilman Likës në ekipin U-17.

Ekipet e Akademisë, si çdo vit, i kemi pretendentë për çdo aspekt, sepse kështu është formuar akademia jonë. Ekipet e U-19 dhe U-17 janë dy ekipe shumë të mira. E rëndësishme është të luajnë mirë dhe të japin çdo gjë për vete, për ekipin dhe familjen e tyre, që shpenzojnë tash sa vite për ta.

Baza materiale nga FSHF lehtësim? Më shumë se lehtësim, do ta quaja domosdoshmëri për çdo ekip, sepse baza materiale është shumë e rëndësishme në botën e futbollit. Besoj se kjo është iniciativa më e madhe dhe më e bukur që ka marrë FSHF tash 20-vite.

Emrat që mund të spikasin? Në fakt, është herët për të folur tani, por kemi në vëmendje me stafin e U-21 dhe me ekipin e parë futbollistë që janë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave.

Alivoda, një emër me të ardhme që ka dalë nga Akademia Vllaznia? Alivoda është djalë Shkodre, që na ka munguar për shumë vite një futbollist i tillë në akademinë tonë dhe shpresoj se me punë, vullnet dhe përkrahjen e profesor Mirel Josës, besoj se do të jetë një armë e fortë e mesfushës tonë për shumë vite.

Programi i stërvitjes në vazhdim për ekipet e Akademisë? Programi i stërvitjes i Akademisë është i shpërndarë në fushën “Reshit Rusi” dhe në palestrën tonë për 14-ditë ose dy javë, me dy seanca stërvitore në ditë”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri.
Maringlen ZHIVANI