Edhe sporti është bashkuar me urimin e mirëseardhjes së Papës në Tiranë. Për këtë arsye, Akademia “Albania Xhudo Kodokan” e drejtuar nga i mirënjohuri Anton Shkoza, në bashkëpunim edhe me sportklub Vllaznia, kanë organizuar sot në Shkodër një turne ndërkombëtar në sportin e xhudos. Ai është emërtuar turneu “Nënë Tereza” dhe në të kanë marrë pjesë sportistë nga 6 vende të Rajonit dhe pikërisht nga Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria.

Ka nderuar me pjesmarrjen e tij në këtë aktivitet edhe deputeti i Qarkut Shkodër Mark Frroku që ka qenë njëkohësisht edhe një nga financuesit e tij. Në fjalën përshëndetesë, deputeti Frroku e ka vlerësuar së tepërmi këtë organizim. “Sapo z. Shkoza më tregoi se çfarë aktiviteti ishte, menjëherë i ofrova gatishmërinë time për ta ndihmuar. Fakti që marrin pjesë sportistë nga disa vende, i jep rëndësi edhe më shumë këtij aktiviteti që organizohet në kuadër të ardhjes së Papës në Shqipëri”- ka thënë ai. Ndërkohë organizatori i organizimit të këtij turneu, Anton Shkoza për gazetën shkodrasport.com ka shpjeguar domethënien e tij si dhe ka folur për nivelin e sportistëve pjesmarrës. “Në të tilla aktiviteti ndërkombëtare gjithmonë paguhet një kuotazicion pjesmarrjeje ndërsa këtë herë pjesmarrja ka qenë falas sepse turneu mban emrin e një shenjtoreje si Nënë Tereza dhe natyrisht që nuk do kishte vend pagesa. Kanë ardhur sportistë kampionë nga Mali i Zi, Kroacia etj dhe besoj se niveli do jetë shumë i lartë”- ka thënë ai. Turneu ndërkombëtar ka dhuruar ndeshje mjaft interesante në mes sportistëve pjesmarrës por më shumë sesa fituesit e tij, ajo që ka më shumë rëndësi është qëllimi i organizimit të tij.

Gjergj KOLA