E shtruar përpara gati tre vitesh, pista e stadiumit “Loro Boriçi” thuajse nuk është më funksionale. Në të jo vetëm që nuk mund të bëhen më aktivitete kombëtare, por edhe për stërvitjen e atletëve të Vllaznisë, sidomos në pjesën e saj nga tribuna qendrore, nuk është e mundur.

Kjo ngaqë tartani i shtruar është prishur thuajse tërësisht dhe ndonëse firma që e ka shtruar ka ndërhyrë në një moment duke e riparuar, sërish nuk ka zgjidhur asgjë.

Kjo ndoshta ka qenë edhe një nga arsyet pse Bashkia Shkodër nuk e mori në dorëzim stadiumin nga ana e Federatës, megjithatë duket se të gjitha palët ngrenë supet dhe askush nuk merr përsipër ta rregullojë.

Pista e tartanit është bërë objekt diskutimi edhe në emisionin “Sport Shoë” në TV1 Channel në mes Kujtim Shabës dhe deputetit Fidel Ylli. Ky i fundit, është krenuar me investimin e bërë nga Qeveria për stadiumin e Shkodrës.

Shaba e ka ngacmuar Yllin nëse ka përfunduar apo jo investimi në këtë stadium dhe përgjigja e këtij të fundit ka shkuar në akuzë ndaj Federatës së Futbollit.

Jua jap unë shpjegimin se çfarë ka ndodhur me tartanin e pistës së atletikës në stadiumin e Shkodrës. E bëri tenderin Federata Shqiptare e Futbollit dhe për 5 ditë u prish. Duhet t’i kërkoni llogari Armando Dukës se cila firmë ishte dhe kush i mori lekët.

Qeveria ka paguar 750 mijë euro për atë pistë, e ka bërë punën e vet. Duhet t’i kërkoni llogari Federatës dhe Armando Dukës që i kanë vjedhur ato para”- ka thënë deputeti Ylli./SHKODRA-SPORT.COM/