Te Akademia Vllaznia janë përzgjedhur edhe trajnerët e të gjitha ekipave të moshave, të cilët duke filluar nga dita e sotme, kanë startuar me proçesin stërvitor. Në fakt siç dihet tashmë, drejtuesit e klubit Vllaznia janë detyruar të bëjnë një riorganizim të ri sa i përket trajnerëve të ekipeve zinxhirë.

Kështu, mësohet se trajner i ekipit U-19 është caktuar Edmond Doçi, i ekipit U-17 Gilman Lika, i ekipit U-15 Fatjon Hasani, i ekipit U-13 Brikeno Bizi, i ekipit U-11 Yliad Pirani, i ekipit U-9 Luan Zmijani dhe i ekipit U7 Ivo Shestani.

Të gjitha këto ekipe të Akademisë Vllaznia, kanë nisur stërvitjen ditën e sotme në fushën “Reshit Rusi”. Në këto emra, risi është emri i ish-mesfushorit shkodran, Gilman Lika, që tashmë sapo ka nisur karrierën e trajningut, teksa edicionin e kaluar ishte pjesë e ekipit të Basania U-15.

Ndërkohë që, të gjithë emrat e tjerë kanë qenë edhe më parë në drejtimin e ekipeve të Akademisë Vllaznia, por në grupmosha të ndryshme. Synimi i këtyre ekipeve për sezonin e ri është fitimi i titujve dhe kupa në çdo kompeticion që do të marrin pjesë.
Maringlen ZHIVANI