21 tituj kampionë si ekip, po kaq edhe Kupa të Shqipërisë. Kampion për vitin 2017 edhe për moshat U-18, U-16 dhe U-14. Më shumë se kaq natyrisht që nuk mund të fitosh. Në Shkodër, në Klubin Vllaznia është sporti më i titulluar dhe për këtë arsye, pjestarët e këtij ekipi presin më shumë mbështetje. Në rast se ajo nuk vjen, nuk është çudi që ato të ndryshojnë ekip. “Paralajmërimi” vjen nga një emër i madh i sportit- Zef Gjoni, trajner i Vllaznisë në boks.

Ai pret më shumë mbështetje nga institucionet përkatëse dhe për këtë arsye, ka kërshëri se çfarë do të dhurojë buxheti i vitit 2018. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, trajneri i mirënjohur do të shprehej: “Ne jemi duke pritur premtimin që na ka dhënë kryetarja e Bashkisë, zj.Voltana Ademi. Këtu nuk e kemi fjalën për ndonjë shpërblim por për një mbështetje më të madhe financiare për sportin e boksit. Nuk është aspak normale që të trajtohemi në këtë mënyrë. Sigurisht që nuk kam xhelozi për futbollin por përderisa edhe ai financohet me paratë e taksapaguesve shkodranë, edhe ne meritojmë më shumë. Nëse futbollisti i 25-të merr minimumi 500 mijë lekë në muaj dhe nuk bën asgjë, nuk është aspak normale që Arjon Kajoshi, boksieri më i mirë në Shqipëri të marrë 100 mijë lekë të vjetra, Nelson Hysa- kampioni shumëvjeçar të marrë 200 mijë lekë. Nuk është aspak normale që një trajner futbolli të marrë 5-6 milionë lekë në muaj ndërsa unë si trajner edhe i kombëtares, marr vetëm 200 mijë lekë dhe madje edhe ato në mënyrë jo krejt të rregullt. Kështu nuk mundet të vazhdojmë. Për këtë arsye, nëse Bashkia dhe Klubi Vllaznia nuk na e rrisin fondin, nuk është çudi që unë si trajner i pari por edhe sportistët, të zgjedhin një emër tjetër për të përfaqësuar. Mund t’u them madje se e kemi gati edhe sponsorin por po presim edhe pak. Kurrsesi nuk kemi dëshirë të braktisim emrin e Vllaznisë për të cilin kemi dhënë shumë”.

© shkodrasport.com