Gjendet “fajtori” për rezultatet negative të Vllaznisë në katër javët e para të kampionatit, shoqëruar me 4 humbje dhe një vend të fundit në renditje. Ai është trajneri Luan Zmijani. Në fakt nuk ka qenë shumë e vështirë për ta gjetur sepse trajneri në fjalë e ka pranuar vetë se është ai shkaktari i gjithë situatës së krijuar aktualisht në skuadër. Pyetjes së bërë nëse ndjehet fajtor për këtë situatë, Zmijani i është përgjigjur:

“Padyshim që ndjehem fajtor dhe më duhet ta pranoj se jam unë 100 për qind fajtori i gjithë kësaj situate. Nuk jam prej atyre që fshihem pas gishtit për t’iu shmangur përgjigjësive por pranoj atë çfarë kam bërë, madje me vetëdije të plotë, kuptohet duke mos menduar asnjëherë për të shkuar kështu gjërat por ja që ndodhën për shumë arsye”. Në rrethana të tilla kur vetë trajneri e pranon se është ai fajtori për një situatë të tillë të krijuar, pyetja që lind më pas është e tillë nëse ai mendon dhënien e dorëheqjes apo jo, ashtu siç po ja kërkojnë shumë tifozë gjatë këtyre ditëve? Luani kërkon të mbetet “luan” dhe krenar duke thënë: “Në natyrën time nuk bën pjesë asnjëherë tërheqja nga një punë e nisur. Nuk është në karakterin tim prandaj dhe nuk kam pse të jap dorëheqjen. Mund të kem gabuar por kam edhe shumë besim tek kjo skuadër që kam ndërtuar sepse sëbashku me të mund t’ia dalim të kthehemi tek rezultatet pozitive, madje që nga ndeshja e kësaj jave me Laçin. Skuadra është, por natyrisht që ka patur ato problemet e veta të fillimit, do kohën e vet të konsolidimit sepse kanë ardhur shumë lojtarë e po ashtu nuk kemi patur as fat sepse në tre ndeshjet e fundit, atë me Partizanin, me Pogradecin për kupë dhe me Flamurtarin, kemi luajtur mirë”- shton më tej numri 1 i pankinës së Vllaznisë. Katër humbje në katër ndeshjet e para të kampionatit nuk i kishte ndodhur kësaj skuadre që prej 57 vitesh dhe jo më kot tifozë të ndryshëm po bëjnë presion ndaj drejtuesve të klubit për shkarkimin e trajnerit. I pyetur në lidhje me këtë temë, Zmijani ka shtuar: “Se çfarë thonë tifozët është çështje tjetër. Unë vetë e thashë edhe më lart se nuk e kam në karakter të tërhiqem por nëse drejtuesit e klubit dhe presidentja e tij, kryebashkiakja Ademi mendojnë se jam unë e keqja e kësaj skuadre dhe me largimin tim do të ndryshojnë për mirë gjërat, atëherë jam gati të largohem. Megjithatë e përsëris se kjo nuk mendoj se është zgjidhja që i shërben skuadrës”. Trajneri ka vendosur të “rrëfehet” por në fakt drejtuesit e klubit nuk janë ndierë në këtë periudhë ndoshta duke u matur mirë për vendimet që do marrin. I pyetur se cilat kanë qenë dhe janë marrëdhëniet e tij me drejtuesit e klubit, Luani do të shtonte: “Kanë qenë dhe janë shumë të mira. Kam patur marëdhënie shumë korrekte dhe duhet të dini se më kanë lënë dorë të lirë për të ndërtuar skuadrën. Vërtetë siç e dini kemi patur një shumë të vogël financiare në dispozicion këtë verë, vetëm 75 milionë lekë të vjetra të miratuara nga Këshilli Bashkiak për merkato dhe fazë përgatitore, por kam marrë garancinë nga administratori për të negociuar me lojtarë të ndryshëm dhe për t’i ofruar kontratat sepse do t’i merrte përsipër ai zbatimin e tyre më pas. Për këtë arsye, ju siguroj se nuk kam patur as problemin më të vogël me drejtuesit asnjëherë por mirëkuptimin e plotë për të bërë më të mirën për Vllazninë”. Pyetja e zakonshme që është bërë prej tre muajsh në adresë të tij ka qenë ajo pse ka larguar aq shumë lojtarë nga skuadra në fillim të sezonit. Përgjigja është e thjeshtë dhe e justifikuar prej tij kur thotë: “Për ndërtimin e skuadrës së këtij sezoni kam filluar të mendoj që pa mbaruar sezoni i kaluar. Planifikova lojtarët që do mbaja nga kontigjenti aktual dhe të tjerët që do merrnim dhe për këtë arsye hyra menjëherë në negociata me to. Lojtarë të tillë si Sykaj, Gocaj, Baci, Hajdari, Dibra nuk ishin në planet e mia. Guri e Markolaj u larguan me dëshirën e tyre por edhe nuk ishin në plane ndërsa Vecajn e Kozmajn i kam larguar unë. Dema ndërkohë insistonte për t’u larguar sepse nuk ndihej mirë tek Vllaznia dhe meqë kontrata ishte më të drejtë rishikimi dypalëshe, u la i lirë nga ana e klubit. Me Beqirin u bisedua dhe nuk është e vërtetë se klubi nuk e respektoi. Kuptohet që mosha e tij ecte por unë e doja në skuadër edhe si emër dhe për të respektuar karrierën e tij. Një darkë na tha “po” dhe ramë dakord për kontratën me të ndërsa të nesërmen ai nxorri një pretendim tjetër për më shumë lekë dhe për pasojë këtu rrugët tona u ndanë por jo për fajin tonë. Me Tafilin është biseduar gjatë. Ai kërkoi rritje të kontratës dhe unë pasi mora miratimin e klubit, ia plotësova kërkesën e tij por një ditë të bukur marrim vesh se ai ka dalë në stërvitje tek Partizani. Nuk mund të pengojmë askënd dhe kuptohet që i urojmë suksese kudo ku shkojnë por largimi në një mënyrë të tillë nuk është i lezetshëm. Edhe me Likën u ra dakord por në skenë doli një ofertë e Tiranës për t’i larë edhe një borxh të mëparshëm prej 30 mijë eurosh dhe lojtari na kërkoi mirëkuptim për të firmosur në kryeqytet. Kjo ishte situata në fund të sezonit të kaluar kur 7 lojtarë larguam vetë dhe 6 na ikën duke krijuar një gropë jo të vogël e cila duhej mbushur patjetër”. Po cila ka qenë plani real i Zmijanit për të ndërtuar Vllazninë e sezonit 2015- 16? Përgjigja vjen prej tij duke shpjeguar të gjitha detajet më poshtë: “Planet e mia u prishën me largimin e papritur të Beqirit, Tafilit dhe Likës që i mendoja si bazë e skuadrës, bashkë edhe me Shtubinën, Bardullën si dhe elementin e ri që kishin në dispozicion. U detyruam të hynim në merkato. Unë kisha hartuar një listë me lojtarët që dëshiroja dhe me to kam nisur kontaktet që në muajin maj. Kam folur fillimisht me shkodranët. Ansi Nika ishte i pari. I ofrova më shumë sesa kishte marrë tek Teuta por ai donte 4 mijë euro në muaj dhe ne nuk kishim mundësi t’ia jepnin dhe ai zgjodhi Kukësin. Kemi kontaktuar me Vucajn, i kam ofruar 50 milionë lekë dhe ai fillimisht u tregua i gatshëm por më pas zgjodhi Tiranën. Kisha dëgjuar se Sukaj vinte edhe pa lekë tek Vllaznia por unë i kam telefonuar dhe i kam thënë se cilat ishin pretendimet e tij financiar dhe përgjigja ka qenë: më jepni 50 mijë dollarët që klubi më ka marrë kur kam shkuar në Iran dhe kthehem”. Nuk ishte një çështje që më takonte mua dhe për rrjedhojë edhe me të u mbylla. Kam ngulur këmbë që të merrnim Krujën por problemet që kishim me klubin arab, bënë që ai të mos huazohej tek Vllaznia. Së fundi, i kemi bërë ofertë edhe Edon Hasanit që luan tek Kukësi, madje bashkë me Musollin. Të dy ishin të gatshëm në një moment të braktisnin këtë ekip por në fund nuk i lanë të iknin dhe historia me to u mbyll. Këto ishin shkodranët e vetëm që unë dëshiroja të kisha në ekip sepse mendoja që ishin lojtarë me vlera dhe do t’i shërbenin Vllaznisë. Pasi dështuam me këto lojtarë, kemi negociuar me mbrojtësin e Partizanit Krasniqi, madje ai një ditë erdhi deri në Milot ndërsa ne e prisnim për të firmosur por ai ndryshoi mendje dhe u kthye tek Partizani. Kemi biseduar me Entonio Pashajn, Zeqiri, Veliun, Shametin e po ashtu ishim pranë marrjes në formë huazimi të Jashanicës dhe Lulajt nga Skënderbeu, por asnjëra prej tyre nuk u realizua për një apo një arsye tjetër. Me të fundit me të cilin kemi qenë në bisedime ka qenë Lena i Flamurtarit por në fund edhe ai ndryshoi mendim. Nëse do vinin vetëm një pjesë e tyre besoj se gjendja tek Vllaznia do ishte ndryshe por këto nuk u realizuan dhe jo për fajin tonë. Të gjendur përballë një fakti të tillë, ndërhymë sërish në merkato dhe morëm 12 lojtarët që kemi aktualisht në skuadër. Nuk jam i zhgënjyer pse i kemi marrë ato. Janë lojtarë me vlera pavarësisht se disa prej tyre nuk kanë qenë në formën më të mirë fizike dhe të tjerë kanë patur probleme me dëmtimet. Unë besoj tek kualiteti i tyre dhe prandaj kam besim se skuadra do të dalë në lojën e saj dhe do të marrë rezultatet e duhura”.
Gjergj KOLA