Ndeshja e dytë miqësore në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Pejës në basketboll për meshkuj që duhej të zhvillohej mesditën e sotme, ka dështuar. Arsyeja ka qenë dalja e ujërave të zeza në ambjentet e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” duke e bërë situatën të papërballueshme dhe për rrjedhojë, sportistët e të dy ekipeve pasi kanë parë këtë gjendje janë larguar me një përshtypje jo të mirë dhe për më tepër pa e luajtur ndeshjen në mes tyre. Arsyeja e daljes së ujërave të zeza ka të bëjë me bllokimin e kanalizimit të derdhjes së tyre si shkak I punimeve që po bëhen në stadiumin “Loro Boriçi”. Nuk është hera e parë që ndodh kështu dhe për më tepër askush nuk ka ndërhyrë për ta zgjidhur atë. Një problem që ndoshta zgjidhet për pak minuta nëse dikush që e ka në dorë atë ndërgjegjësohet se kjo gjë duhet rregulluar. Ka mjaftuar shiu I rënë paraditen e sotme dhe për pak minuta, ambjentet e brendshme të pallatit të sportit janë mbushur me ujëra të zeza duke shkaktuar një erë të rëndë. Në fakt kështu ndodh sa herë që bie shi dhe përderisa jemi në prag të nisjes së stinës së reshjeve, duket se shumë ndeshje në këtë pallat sporti kanë për të dështuar. Diçka e pakuptimtë megjithatë ky është realiteti dhe natyrisht ajo që pritet është ndërhyrja e drejtuesve të sportklub Vllaznia tek firma që po ndërton stadiumin “Loro Boriçi” për zgjidhjen e këtij problemi të kanalizimit. Nëse ka vullnet për ta zgjidhur, ajo mund të bëhet shumë shpejt, ndryshe… ndeshje të tjera basketbolli dhe volejbolli kanë për të dështuar sërish.
Gjergj KOLA