Silvio Zogaj ishte një nga lojtarët që spikati në fitoren me përmbysje të Kastriotit kundër Vllaznisë në Shkodër. Sulmuesi i krahut, që vetëm dy vite më parë ishte pjesë e shkodranëve, iu bashkua krutanëve në merkaton e janarit, duke u bërë pjesë e formacionit.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Zogaj foli për fitoren e fundit, ecurinë fantastike të Kastriotit, si dhe të kaluarën te Vllaznia.


Silvio, një fitore e madhe përballë Vllaznisë dhe për më tepër me përmbysje. E besonit se mund të ndodhte diçka e tillë?

Po, sinqerisht që kisha një besim të madh që nuk do e humbnim atë ndeshje. Pas pësimit të golit, ekipi qëndroi përsëri në ekuilibër dhe e rriti manovrën sulmuese. Mendoj që dëshira dhe përgatitja fizike ishin plus për ne, pastaj perla e Hasanit s’ka nevojë për koment, pasi është lojtar që ka bërë gjithmonë diferencën. Nuk është e lehtë t’i kthesh rezultatin Vllaznisë brenda në Shkodër. Janë shumë të pakta ato ekipe që kanë bërë një gjë të tillë dhe kjo merr më shumë vlera.


Vendosët duart në kokë te supergoli i Hasanit, çfarë ju tha ai duke qenë se asistuat?

Vura duart në kokë tek ai supergol, por harrova fare që ja dhashë unë asistin. Shkova të festoja menjëherë me të, sepse jam i lumtur që u rikthye te goli. Kur po festonim më tha: “Ku i gjete fuqitë për atë sprint në fund të ndeshjes”.

Ashtu si Hasani, edhe ju keni luajtur për Vllazninë. Pas ndeshjes ironizuat në rrjetet sociale, duke bërë një postim me mbishkrimin: “Mos e ke fjalën për Dungën?” Çfarë donit të thoshit me këtë?

Kur u largova nga Vllaznia, dikush tregoi nënvlerësim dhe mosrespekt ndaj meje (i referohet një deklarate të presidentit Xhaferi, i cili kur u pyet për Zogajn, përmendi Dungën). Mendoj se kisha edhe unë momentin tim të ktheja gurin që më ishte hedhur. E mbajta dy vite mbi shpinë, kështu që do të vinte koha ta lëshoja.


Ju vjen keq që krahas Vllaznisë nuk ju besuan as te Teuta?

Nuk komentoj asnjëherë zgjedhjet e trajnerëve, sepse secili ka filozofinë e tij. Tani bëj pjesë te Kastrioti, ku jam çdo javë në fushën e lojës dhe po e tregoj se sa vlej. E rëndësishme është që unë nuk e humba besimin te vetja, pasi besimin e të tjerëve nuk e kontrolloj dot.

Si do ta vlerësonit pjesën e dytë të sezonit me Kastriotin?

Po bëhet një punë fantastike nga stafi teknik dhe gjithashtu nga futbollistët. Kur të gjithë punojnë me seriozitet për një qëllim të përbashkët, çdo gjë shkon në mënyrë natyrale drejt rezultateve të mira. Këtë po e tregojmë javë pas jave. Shpresoj ta mbajmë këtë ritëm deri në fund.


Kur erdhët në janar, Kastrioti renditej i fundit. E mendonit që kaq shpejt do të ndodhte kjo ringritje e skuadrës?

Gjeta një grup dhe një skuadër që pavarësisht renditjes, nuk tregonte në asnjë moment rënie psikologjike. Stafi drejtues kishte besim të jashtëzakonshëm te secili dhe me punën që bëhej çdo ditë, kisha shumë besim se kjo skuadër do të arrinte të kishte ecuri pozitive.


Ndeshja e radhës ndaj Dinamos, sa e vështirë është përballë një skuadre që ka nevojë më shumë se kurrë për pikë?

Në këtë fazë të kampionatit çdo ndeshje është e vështirë, me ngarkesë fizike dhe psikologjike. Çdo kundërshtar do vlerësimin e duhur dhe patjetër që edhe me Dinamon, që ka shumë kualitete brenda, do të jetë po aq e vështirë sa çdo ndeshje tjetër.


Me distancën aktuale Kastrioti rrezikon ende apo besoni te shkëputja nga rivalët?

Ka ende shumë ndeshje deri në fundin e kampionatit. Në futboll nuk ka llogari, pasi është i paparashikueshëm. Kastrioti e siguron mbijetesën vetëm atëherë kur ta lejojë matematika.


Tetë pikë larg rënies dhe po kaq nga zona europiane. A mund të arrijë Kastrioti diçka më tepër se mbijetesa?

Rëndësi ka të mos humbasim qëllimin. Pra, të bëjmë më të mirën çdo ndeshje dhe të rrisim nivelin tonë si skuadër. Të shpëtojmë nga zona e rënies një herë, e më pas të mendojmë për më shumë. Ndeshjet janë shumë afër njëra-tjetrës dhe ngarkesa psikologjike është e madhe.