Skuadra e Bayern Mynih ka zyrtarizuar sot transferimin e mesfushorit portugez Raphael Guerreiro nga rivalët e Borussia Dortmund. Një transferim me koston zero ky për kampionët e Gjermanisë, pasi kontrata e 29-vjeçarit me Dortmund skadon më 30 qershor.

Një mesfushor me karakteristika të shumta, që do të rritë ndjeshëm potencialin e ekipit bavarez, për më tepër që vjen nga një skuadër rivale si Borussia. Guerreiro firmosi një kontratë 3-vjeçare me Bayern, deri në verën e vitit 2026.

Portugezi luante që prej vitit 2016 me Borussia, ku në 224 ndeshje në total ka realizuar 40 gola (6 këtë sezon). “Kur më thanë se më ka kërkuar skuadra e Bayern vendimi im për të shkuar atje ishte shumë i shpejtë. Është një nder për mua të luaj për këtë klub të madh. Gjithashtu, e vlerësoj shumë trajnerin Thomas Tuchel që nga koha që kur ka qenë këtu te Borussia”, tha Guerreiro.

“Unë jam një lojtar që më pëlqen të mbaj topin. Bëhet fjalë për të dominuar në fushën e lojës dhe më pëlqen të krijoj mundësi shënimi për skuadrën. Do të bëj maksimumin për të fituar sa më shumë trofe të jetë e mundur. Kjo është edhe psikologjia e Bayern”, tha portugezi./telesport/