Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur punën që përpara se të mbaronin punimet për të siguruar zhvillimin e një finaleje të nivelit europian në stadiumin e ri “Air Albania”. Prej kohësh drejtuesit e qeverisë së futbollit shqiptar kishin dërguar kandidaturën për të zhvilluar një prej Superkupave të Europës, ku luan fituesi i Europa League me atë të Champions League.

Planet kanë ndryshuar dhe FSHF ka vendosur të tërheqë kandidaturën për të zhvilluar ndeshjen e Superkupës. Ky institucion do të mundohet të bëjë të mundur që në arenën e re të futbollit tonë të luhet finalja e Ligës së Konferencës, kompeticion që do të nisë në sezonin 2021-2022.

Pikërisht finalen e parë të këtij kompeticioni kërkon të organizojë FSHF, që tashmë e ka nisur kandidaturën e saj dhe pret një përgjigje nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s. Vendimi i qeverisë së futbollit kontinental njoftohet se do të jepet në dhjetor të këtij viti. Lajmin e bëri të ditur vetë FSHF nëpërmjet një deklarate zyrtare, ku shpjegon të gjitha detajet.

Deklarata e FSHF:

Federata e Futbollit shton përpjekjet dhe fokusohet për të sjellë finalen e Ligës së Konferencës në Tiranë, tërheq kandidaturën e organizimit të Super Kupës Europiane

Federata e Futbollit, duke i dhënë përparësi organizimit të finales së një kompeticioni të ri europian në Tiranë që do të ketë një vëmendje të madhe kontinentale, ka vendosur të fokusohet në kandidaturën e saj për të sjellë në Air Albania Stadium finalen e Ligës së Konferencës (Conference League) për vitin 2022.

Duke i dhënë prioritet absolut këtij eventimenti sportiv dhe për të garantuar më shumë mundësi akordimi, FSHF ka tërhequr kandidaturën si vend kandidat për të organizuar Super Kupën Europiane. Vendimi lidhur me finalen e Ligës së Konferencës të vitit 2022, do të jepet në muajin dhjetor të këtij viti nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s. /vipsport/