Mesfushori shkodran, Erdis Kraja do të kalojë në formë huazimi tek Peskara nga Atalanta, klubi që ka edhe kartonin e tij. Futbollisti 22-vjeçar, i cili ka qenë pjesë edhe e Shpresave kuqezi, do të nisë një aventurë të re te Peskara, skuadër për të cilën për shumë vite ka luajtur edhe Ledian Memushaj.

Kraja mund të luajë në një mesfushë me tre futbollistë prapa, por edhe si një organizator në një vijë me të tjerët. Përvojat e mëparshme të tij janë në Palermo, ku fitoi edhe kampionatin në Serinë D në sezonin 2019-2020 dhe më pas si titullar në Serinë C me Grosseto dhe Leço.

Kraja është një futbollist i cili ka dalë nga radhët e akademisë së Atalantës, klub i cili e dha në huazim fillimisht te Palermo e më pas te Groseto e Leko që të fitonte më shumë eksperiencë. Mesfushori është bërë pjesë edhe e përfaqësues U21, duke luajtur rregullisht në sfidat e fundit të kuqezinjve të drejtuar nga Alban Bushi.

Por gjatë kësaj vere, ai kërkonte një sistemim të ri, pasi nuk kishte hapësira te Atalanta. Kështu, lojtari është lejuar të gjejë një tjetër skuadër dhe nuk ka vonuar firma me Peskarën. Gjithçka është zyrtarizuar nga vetë klubi me një foto të mesfushorit teksa firmoste kontratën me skuadrën e cila militon në Serinë C dhe ka pretendime të mëdha që të ngjitet në Serinë B.

Tashmë, mesfushori shkodran do të nisë një aventurë të re tek Peskara, me klubin italian që nuk i ndahet futbollistëve shqiptar, e cila shpreson të ketë gjetur tek Erdis Kraja pasardhësin ideal të Ledian Memushaj.
Maringlen ZHIVANI