Sezoni sportiv 2020-2021 në volejboll nuk do të nisë dhe rrezikon të anullohet përfundimisht.

Përmes një deklarate që Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) u ka nisur klubeve, njofton se Minstria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale (MSHMS) i ka kthyer përgjigje negative FSHV-së për fillimin e kampionatit.

Ka qenë vetë MSHMS, përmes zv.ministres Mira Rakacolli, ajo që i ka shkruar FSHV-së, pas insistimeve të shumta që kjo e fundit kishte bërë për të rinisur aktivitetet e sportit të rrjetës, të ndërprera që në mars për shkak të pandemisë Covid-19.

Ja deklarata e FSHV-së:

Të nderuar,

Pas insistimit tonë të vazhdueshëm pranë organeve kompetente të menaxhimit të pandemise COVID-19, sot në zyrat e FSHV-se fatkeqësisht mbërriti një pergjigje negative, e cila na ndalon organizimin e kampionateve tona, detyrim i rëndësishëm për vazhdimësine e sportit tonë.

Ne do të vazhdojmë të insistojmë pranë këtyre organeve, të cilat e konsiderojnë sportin e volejbollit të rrezikshëm për përhapjen e COVID-19, ndërkohë që kudo si Kosova,  Italia, Serbia, Mali i Zi dhe vende te tjera europiane po zhvillojnë aktivitetet e tyre ndërkombëtare në këtë sport”.