Ato çfarë po ndodhin dhe çfarë pritet të ndodhin me ekipet e klubit shumësportësh Vllaznia, e kanë marrë një përgjigje nga ana e kryebashkiakut të Shkodrës Lorenc Luka. I ftuar në emisionin “Euro Dita” në televizionin Rozafa, ai është detyruar t’i përgjigjet disa mesazheve të dërguara nga disa sportistë të këtij klubi për shkurtimin e fondeve të tyre me 40 për qind në këtë periudhë.

Përgjigja që ka dhënë kryebashkiaku Luka ka qenë kjo: “Po bëjmë një sforco për të mbajtur këto ekipe, të përmbledhur brenda klubit shumësportësh Vllaznia sepse sipas një vendimi të fundit të Ministrisë përkatëse dhe Këshillit të Ministrave, klubi shumësportësh duhet të trajtohet në një mënyrë tjetër.Pra, ne po bëjmë një sforco jashtë buxhetit që është akorduar për klubin shumësportësh Vllaznia sepse siç e thashë, kjo strukturë sipas vendimeve që kanë marrë institucionet përkatëse, do të pësojë një reformim total. Ne maksimalisht po tentojmë të përkujdesemi që këto sporte me të cilat qyteti i Shkodrës është krenuar, t’i bajmë derisa ne të kemi mundësi, duke u sforcuar veten pak edhe në drejtim të ligjit. Edhe në sportet e tjera sipas ligjit, bëhet fjalë për shndërrimin e klubeve sportive në shoqëri aksionere. Mendoj se është edhe përgjegjësi qytetare, përgjegjësi e një biznesmeni që të kontribuojë edhe në këto asete të jetës së këtij qyteti sepse unë këto sporte i konsideroj asete të rëndësishme të këtij qyteti. Por siç e thashë, jemi para zbatimit të një ligji të cilin madje po e shtyjmë vënien në zbatim të tij për të mirën e këtyre sportistëve, për t’i qëndruar afër këtyre sportistëve por do të shkojmë drejt një zgjidhje të detyrueshme në kuadrin e zbatimit të këtij ligji”.
www.shkodrasport.com