Ish këshilltari i ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, David Cameron, Daniel Korski ka publikuar një foto të shkrepur ditën e djeshme gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama me homologun e tij Rishi Sunak.
Krah fotos Korski ka treguar dhe një histori “qesharake” sipas tij, të cilën e kishte dëgjuar nga Cameron. Ai tha se kryeministri Rama ka qenë një basketbollist i nivelit të lartë në rininë e tij dhe se kombëtarja e Shqipërisë ka luajtur me skuadrën gjermane.
“Me Edi Ramën në Mbretërinë e Bashkuar më duhet të ndaj një histori qesharake që e dëgjova të transmetonte David Cameron
Më falni nëse i mbaj mend keq disa detaje… Pra, lideri shqiptar ka qenë një basketbollist i nivelit të lartë në rininë e tij kur kombëtarja e Shqipërisë luajti me Gjermaninë Lindore.”, shkruan ai në llogarinë e tij në “Twitter.
“Një lojë e rrallë jashtë shtetit, skuadra shqiptare ishte e emocionuar pavarësisht oficerëve të policisë sekrete që shoqëronin ekipin për të parandaluar çdo dezertim nga diktatura që atëherë ishte Shqipëria. U lëshuan fanella të reja të kuqe në mënyrë që kombëtarja të mund të dukej e mrekullueshme kundër Gjermanisë bardhezi.”-shkruan me tej Korski.
“Ndeshja kishte nisur por pas 30 minutash të lojës, gjyqtari duhej të ndalonte. Ai nuk mund t’i dallonte më dy skuadrat pasi ngjyra e kuqe me cilësi të dobët nga fanellat shqiptare, përmes kontaktit, ishte fërkuar në fanellat gjermane dhe të dyja skuadrat tani kishin veshje të kuqe.
Thjesht mendova se kjo histori meritonte një audiencë më të gjerë dhe jam i sigurt se Edi Rama do të më falë që po e them”.-perfundoi ai./newsport/