E kam thënë edhe më përpara dhe po e përsëris sërish: Vllaznia i kishte të gjitha kushtet dhe mundësitë që të ishte kampione këtë vit. Me gjithë respektin që kam për Josën si trajner, që mban mbi supe edhe shumë trofe të fituara, këtë rradhë u trega pak egoist, ose siç i themi në Shkodër, euforik ndaj vetes.

Pa i ditë të gjithë problemet brenda ekipit me 100 për qind, presidenca dhe klubi i kanë lënë dorë të lirë Josës në merkaton e veres. Pa aprovimin e tij nuk firmoste asnjë lojtar. Pra këtu është dështimi i këtij sezoni.

Me aq sa e njoh unë futbollin, organika e Vllaznisë u frye shumë, ma shumë sesa duhet dhe ekipi nuk e kishte harmoninë dhe nuk funksionoi në grup. Repartet kurrë nuk u konsoliduan siç duhet, me lojtarët janë bërë eksperimente gjatë kampionatit, pra ndërrime repartesh, kur këto gjëra duhej të bëheshin në fazë përgatitore dhe në ndeshjet miqësore.

Te Vllaznia e harruan sërish mesa duket se kur blihen lojtarë të huaj, ata duhet të bëjnë diferencën dhe të jenë në nivel shumë më të lartë se futbollistët shkodranë por kjo nuk ndodhi me disa prej tyre.

Këtu dua të përmend rastin “Aralica”, ndërsa Vulaj vjen si profesionist, firmos për 2 vite dhe qëndron në pankinë, kur fort mirë kemi lojtarë nga Akademia Vllaznia dhe nuk ka nevojë të merren “dublantë” për rezerva. Kemi djem të rinj shkodranë që po e bëjnë mjaft mirë duke filluar nga portieri Qarri, e për të vazhduar me Alivodën, Smajlin, Çobën etj. Natyrisht edhe pa kosto financiare. Kam qenë dhe jam i mendimit se të rinjtë duhet të jenë prioritet i klubit.

Sepse vetëm duke i promovuar ata, mund të përfitojë më pas nga shitja e ndonjërit dhe mbushjen e arkës së klubit. Te Vllaznia gjitha këto vitet e fundit ka mangësi në këtë drejtim, në transfertat e lojtarëve jashtë vendit dhe është për të ardhur keq sepse lojtarët janë. Bëj krahasimin me rastin “Vulaj”. Nuk ia mundësia për të treguar vlerat e tij të paktën në 3 ndeshje dhe për të bindur edhe spektaktorin nëse bën apo jo si lojtar. Nuk ishte aspak e ndershme që Vulaj të ulej në stol dhe të injorohej krejtësisht nga ana e trajnerit.

Vllaznia është fanellë e rëndë dhe brenda ka edhe presionin. Në çdo moment tifozëria e do ekipin ta ketë në vendet e para dhe në Europë. Mbase ka ardhur koha të themi: Boll më me trajnera mercenarë! Unë, por edhe tifozëria shpeshherë kemi kritikuar edhe trajnerët shkodran si Armando Cungu, Elvis Plori etj kur Vllaznia nuk ka ecur ashtu si duhet, por të mos harrojmë se njëri prej këtyre trajnerave drejton kombëtaren e Shqipërisë U19, ndërsa tjetri ekipin U21 të Vllaznisë që renditet në vendet e para në kampionat.

Desha të dal në faktin që të drejtosh Vllazninë është përgjegjësi dhe presion i madh. Tifozëria nuk mund të presë pafund kur ekipi është ndërtuar për të qenë për Europë zoti Josa! Dy rreshta desha të them edhe për Milotin e Sinanin. Ata duhet t’i lëmë të qetë të bëjnë punën e tyre ashtu si dinë ta bëjnë.

Janë persona shumë pozitiv dhe gëzojnë respekt edhe si sportista edhe si trajnerë dhe shpresojmë që ata të korigjojnë gabimet e parardhësit të tyre. Ata duhet të realizojnë objektivat e klubit, minimumi sigurimi i Kupave të Europës si dhe të synojnë sërish fitimin e Kupës së Shqipërisë. Shpresojmë që lojtarët të marrin përgjegjësitë maksimale dhe të mos ua lënë atë vetëm trajnerëve. Unë e përsëris, kam shumë besim tek dyshja Miloti- Sinani. Shkodra dhe Vllaznia mbi të gjitha…