Opinion nga Petrit OSMANI*

Luftë, vëllavrajse, gjak nëpër rrugët e Lucernit, këto ishin pritjet e para ndeshjes Zvicër- Shqipëri në bazë të disa komenteve edhe vrasje lojtarësh në “stilin kolumbian”. Se jemi njerëz që e kemi zakon që për punë të imëta “mizën ta bëjmë buall”dhe për punë madhore të heshtim e të durojmë me shekuj, këtë e di, por kurrë se kam ditë që populli im paska në gjirin e vet kaq shumë opinionista, specialista futbolli, historianë, moralista e ekspertë të të gjitha lëmive!

Në vendin ku unë jetoj, burimi kryesor (shpesh edhe i vetmi) i lajmit është  facebook-u, “vendi i ngjarjes” në këto raste janë  komentet dhe like-t që japin persona të fshehur me një nofkë ose me një emër që kurrë s’mund t’i dokumentosh si njerëz real. Ndeshja e dytë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit që do të luhej në Lucern të Zvicrës më 11 shtator pritej si çdo ndeshje tjetër por gjëma që i’u bë kësaj ndeshje para zhvillimit të saj të shtynte të mendoje se natën e 11 shtatorit do të ndodhte Apokalipsi. 11 shtatori i Lucernit do të ishte edhe më fatkeq sesa 11 shtatori i 2001-ës në SHBA, dhe këtë “fatkeqësi” e paralajmëruan mediat që për burim kryesor të lajmit kanë rrjetet sociale. Deklarata e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit për njërin nga lojtarët e Zvicrës me origjinë shqiptare që bëri miliona shqiptarë të shkruanin e të komentonin këtë akt të tillë duke u sharë mes vete dhe duke etiketuar tjetrin që mendonte ndryshe. Mirë që u morrën me një njeri të dyshimtë dhe me shumë afera  si puna e Dukës, por Kombëtaren s’kishin pse ta shanin.

Kulmi i Injorancës: Ta duash Kombëtaren e do edhe Armando Dukën!

Ta duash Kombëtaren s’dmth detyrimisht ta duash edhe Armando Dukën. Kombëtarja nuk është e Dukës, ashtu siç nuk është vendi i pushtetarëve. Sipas kësaj logjike i bie që çdo qytetar i pakënaqur me qeverisjen e vendit , të largohet prej aty, ta dojë një tjetër vend, të tjetërsohet! Kjo më shumë të ngjanë në fjalën popullore “Hedh një budalla një gurë në pus, mblidhen dhjetë të mençur dhe nuk e nxjerrin dot”

Tifozët – Fituesit (të paktën moral) pa asnjë dyshim ishin  tifozët shqiptarë të mbledhur në Lucern. Ata shkuan nga të gjitha anët e botës, madje disa prej tyre udhëtuan edhe nga dy vendet ndoshta më të varfëra në Europë siç janë Shqipëria e Kosova dhe askush nuk u kujtua të paktën t’iu thoshte faleminderit që valvitët 12.000 flamuj, faleminderit që veshët Lucernin “Kuq e Zi”. Të gjithë besoj kemi qenë krenar që jemi të parët në botë që në një ndeshje të luajtur në transfertë kemi qenë më të shumtë në numër sesa ekipi vendës. Cili shtet tjetër, cili popull tjetër e ka mbush stadiumin si mysafirë? A s’është kjo mburrje, a s’është kjo fitore?. “Benzina e hedhur në zjarr”  nuk dha rezultat, ndeshja përfundoi, asgjë nuk ndodhi. Sharje e fyerje pati më pak sesa në kampionatet e futbollit në Shqipëri e Kosovë. I vetmi që u kujtua për këta shqiptarë ishte trajneri i përfaqësueses zvicerane Ottmar Hitzfeld i cili pas ndeshjes deklaroi “Kurrë në jetën time nuk kam parë diçka të tillë, ishin të mrekullueshëm. Keni një tifozeri të zjarrtë, ju lumtë”. Tifozët shqiptarë dhanë mesazh të mirë se ata nuk thyejnë, ata nuk prishin, ata nuk rrahin, nuk vrasin, nuk plagosin, ata janë tifozë të cilët gjatë 90 minutave të ndeshjes do ta përkrahin ekipin e tyre. Këtë nuk e them unë, këtë e thonë raportet policore të qytetit të Lucernit të cilat nuk kanë regjistruar as edhe më të voglin incident para, gjatë dhe pas ndeshjes. Kuptojeni vet pra se kush po bënë reklamë për mirë në botë e kush po dëshiron të na njollos!

*Autori është nga Prishtina dhe është jurist me profesion