Është vetëm 17 vjeç, por ka firmosur kontratën e parë në jetën e tij si profesionist dhe do të jetë pjesë e një prej skuadrave të Serie A. Pas Hysajt, Berishës dhe Strakoshës, në sezonin e ardhshëm pjesë e elitës së futbollit italian do të jetë edhe talenti 17 vjeçar Marash Kumbulla. Ky i fundit ndonëse ka lindur në Itali, është me origjinë nga Shkodra.
Në këtë mënyrë, shtohen kështu radhët e futbollistëve shqiptarë në elitën e futbollit italian, pa harruar se mund të jetë edhe Memushaj, Ajeti e ndonjë tjetër. Kumbulla, mbrojtësi i qendrës, ka kaluar nga ekipet e moshave të Veronës në ekipin e parë, ku ka nënshkruar një kontratë deri në vitin 2020. Kjo ishte kontrata e parë si profesionist për talentin shqiptar. Sezonin e shkuar ai është aktivizuar me skuadrën e të rinjve, ku në 21 ndeshje, ka arritur të realizojë 2 gola, jo keq për një mbrojtës qendre. Përveç qendërmbrojtësit, Kumbulla mund të aktivizohet edhe në rolin e shkatërruesit në mesfushë. Ai është pjesë edhe Kombëtares U-17 të drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç, duke u bërë kështu një kontingjent i rëndësishëm për të ardhmen e ekipit kombëtar. Tani duhet të presim debutimin e tij, duke iu uruar vetëm suksese!
© shkodrasport.com