Klubi i Vllaznisë vendos një premio rekord për fitimin e Kupës së Shqipërisë, teksa nesër në orën 19:00 do të luhet finalja kundër Laçit në stadiumin “Air Albania”.

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta se ekipit i është premtuar një shpërblim prej 100 milionë lekësh të vjetër në rast fitimi të Kupës.Kalimi me sukses i kësaj finaleje është si detyrim për shkodranët, pasi vetëm kështu shpëtojnë sezonin.

Kuqeblutë nuk arritën të ishin në katër vendet e para të kampionatit për të siguruar një biletë në Ligën e Konferencës, prandaj dhe tashmë presioni është totalisht tek ata, pasi duhet vetëm triumfi në Kupë për të mos mbetur jashtë Europës.

Vetë presidenti Alban Xhaferi ka deklaruar disa herë se do të ishte një dështim total për këtë sezon nëse minimalisht Vllaznia nuk ishte pjesë e Ligës së Konferencës.

Dëmi financiar, pikërisht për një sezon ku investimi ka qenë shumë më i madh se dy vite më parë, do të kishte një kosto jo të vogël për vazhdimësinë.

100 milionë lekët e vëna në dispozicion për të motivuar edhe më shumë lojtarët janë një shifër jo e vogël, por ajo që vlen të theksohet është se benefiti është i madh për klubin nëse merret për herë të dytë radhazi trofeu i Kupës.

Vllaznia do të merrte pjesë në turin e dytë të Ligës së Europës dhe do të kishte një bonus prej 450 mijë eurosh nga UEFA vetëm për pjesëmarrjen (edhe nëse do eliminohej në këtë tur).

Gjithashtu, si fituese e Kupës, klubi do të merrte edhe një shpërblim prej 50 milionë lekësh të vjetër nga FSHF-ja.Pra, sezoni i Vllaznisë luhet të martën dhe drejtuesit duan një sforco të fundit nga skuadra, për t’i bërë mbylljen e duhur edicionit.

Presioni i kësaj përballjeje po ndihet më shumë te drejtuesit, që kërkojnë me çdo kusht trofeun.Ekipi shkodran është fitues në fuqi i Kupës dhe gjatë edicionit të kaluar, shuma që përfituan në total lojtarët dhe stafi teknik ishte vetëm 40 milionë lekë të vjetër.

Kjo është hera e parë në historinë e dy klubeve që përplasen në finale, me kurbinasit që në dekadën e fundit kanë arritur të fitojnë dy kupa./panorama-sport/