Vllaznia U-15 ka arritur të kalojë ekipin e Teutës në çerekfinale dhe tashmë shkon në gjysmëfinale të fazës play-off për këtë grupmoshë. Në ndeshjen e luajtur pasditën e djeshme në Kamëz, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin e ngushtë, 1-2.

Në pjesën e parë, ndeshja ka patur më shumë rivalitet se në pjesën e dytë, pasi të gjithë golat u shënuan në këtë pjesë. Në fakt, Teuta ka shënuar golin e parë të avantazhit që në minutën e 9-të, me anë të futbollistit Shkurti.
Megjithatë, Vllaznia ka barazuar pas pak minutash, më konkretisht në minutën e 27-të, me anë të futbollistit Smakaj.

Shkodranët nuk do të ndaleshin me kaq. Pas golit të barazimit, janë disa minuta me një dominim absolut të Vllaznisë. Në minutën e 35-të, do të ishte sërish Smakaj, që do të shënonte golin e dytë. Ky do të ishte goli i fundit i ndeshjes dhe i dyti edhe për Smakajn, që kompletoi dopietën e tij.

Për rrjedhojë, kjo pjesë loje nuk pati gola të tjerë dhe është mbyllur 1-2 në favor të Vllaznia U-15. Në pjesën e dytë, nuk do të kishte shumë histori, me përjashtim të një kartoni të kuq të Volumit të Vllaznisë. Kështu, e gjitha ndeshja në fund, do të mbyllej me këtë rezultat.

Përfundimisht, 1-2 për Vllaznia U-15, e cila kualifikohet për në gjysmëfinalet e play-offit, por natyrisht që objektivi i saj do të jetë fitimi i këtij kampionati.
Maringlen ZHIVANI