Cristiano Ronaldo ndërpreu bashkëpunimin me agjentin Jorge Mendes pas një jetë së bashku. Legjenda portugeze i dha fund aventurës europiane dhe firmosi deri në vitin 2025 me Al Nassr, kontratë nga e cila do përfitojë rreth 200 milionë euro në sezon.
Po kush ishte personi që zhvilloi transferimin e golashënuesit më të mirë të historisë së futbollit në Arabinë Saudite? The Athletic shkruan se gjithçka ndodhi falë Ricardo Regufe, i cili është krahu i djathtë i Cristiano Ronaldos.
Dyshja kanë një histori të gjatë së bashku, që nga koha kur Ronaldo ishte lojtar i ri te Sportingu i Lisbonës. Regufe ishte vetëm 21 vjeç kur u bë pjesë e Nike në vitin 2000 si përgjegjësi për menaxhimin e fotosesioneve të lojtarëve të Portugalisë me firmën e njohur sportive.
43-vjeçari fitoi shpejt respektin dhe admirimin e CR7 dhe mes tyre lindi një miqësi dhe raport i ngushtë profesional që zgjat prej vitit 2003. Regufe filloi ta shoqëronte yllin portugez në ngjarje të tjera komerciale.
Në vitin 2018 u bë menaxheri personal i sulmuesit legjendar. Edhe pse zakonisht fokusohej në interesat komerciale të Ronaldos, ai nisi të përfshihej edhe në çështjet sportive për të mbërritur te transferimi rekord tek arabët e Al Nassr.