Vllaznia do presë nesër në javën e 25-të të kampionatit skuadrën e Tiranës. Klasikja do mbahet në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Një ndeshje ku do shohë përballë dy skuadra që luftojnë për vendet e para të renditjes dhe për objektiva madhorë. Vllaznia do ketë detyrën e vështirë për të marrë pikë kundër ekipit më të mirë të kampionatit.

Janë edhe shifrat që e konfirmojnë Tiranën si ekipin më të mirë. Ku bardheblutë pas 24 javësh janë në vendin e parë të renditjes me 53 pikë të grumbulluara. Plot 8 pikë nga Laçi i vendit të dytë me 45 pikë dhe Vllaznia e Kukësi pas bardhebluve me 14 pikë diferencë. Por edhe mbrojtja me 16 gola të pësuar, e bëjnë parpavijën bardheblu më të mirën e kampionatit.

Sulmi është “qershia mbi tortë” e bardhebluve. Kjo pasi kanë shënuar plot 45 gola. Dyshja protagoniste dhe ajo më e mirë e kampionatit është ajo Seferi-Xhixha. Sulmuesi i kombëtares deri më tani ka realizuar 14 gola në kampionat. Më pas nuk ngelet as Xhixha, ish-sulmuesi i Laçit ka 11 gola në llogarinë e tij deri më tani në kampionatin shqiptar.

Plot 25 gola mes dyshes së sulmit bardheblu që janë kundërshtarë të vështirë për çdo mbrojtës. Shpejtësia, driblimet dhe finalizimi janë cilësitë që i dallojnë nga sulmuesit e tjerë të kampionatit. Patjetër ata do jenë rreziku numër një për mbrotjen e Vllaznisë nesër, ku të dy sulmuesit e kanë gjetur rrjetën kundër kuqebluve në ndeshjen e fazës së parë ku Tirana fitoi 0-2 në Shkodër.
Endri ÇINARI