Klubi bëri thirrje të premten që për provë te Vllaznia të jenë edhe lojtarët shkodranë, të cilëve u ka përfunduar kontrata.

Mirëpo, emra si Olsi Gocaj, Antonio Marku, Florind Bardulla dhe Arsen Hajdari janë ndierë të ofenduar, madje duke folur për “Panorama Sport” në lidhje me këtë çështje, ata theksuan se nuk kanë nevojë për t’u testuar. Dje për gazetën lidhur me këtë çështje reagoi administratori i Vllaznisë, Suad Lici.

Ai i cilëson vendime personale të lojtarëve, ndërsa sqaron se ishte ideja e trajnerit Mirsad Jonuz që të shikonte futbollistët në stërvitje. “Dua të sqaroj se unë nuk merrem fare me aspektin teknik të ekipit. Vetë trajneri është shprehur pak ditë më parë se do të shikojë edhe ata lojtarë shkodranë që u kishte mbaruar kontrata. Për këtë klubi u ka bërë një ofertë për t’u stërvitur dhe testuar nga trajneri. Unë vlerësoj çdo vendim të tyrin. Ata i dinë më mirë punët e tyre dhe si i vlerësojnë. Jonuz kishte dëshirë t’i shikonte nga afër dhe jo nga pamjet filmike”, ka sqaruar Lici.

EKIPI I RI

Administratori i klubit shkodran është i bindur se po ndërtohet një skuadër kompetive për sezonin e ri. Sipas tij, puna që po bën dyshja Mirsad Jonuz dhe Engin Firat të bën të besosh në këtë drejtim. Lici bëri të ditur dje se afrimi i fundit i maqedonasit Filip Gligorivit do të shoqërohet me të tjera lëvizje në merkato.

“Mendimi im është se dyshja Firat-Jonuz do të bën një skuadër kompetitive. Ato po punojnë në këtë drejtim. Pozitive është se po funksionojmë mirë si klub. Drejtuesit teknikë bëjnë punën e tyre, ndërsa për aspektin financiar është puna ime. Mendoj se pas afrimit të fundit që bëmë, do të vijnë edhe të tjerë.

Bëhet fjalë për lojtarë me cilësi të mira dhe për aty ku edhe ne kemi nevojë si skuadër. Po bëjmë të gjithë së bashku më të mirën. Emrat konkretë do të dalin rrugës, pasi më mirë t’i përfundojmë gjërat, e pastaj t’i deklarojmë, siç edhe po veprojmë”, përfundoi Lici.

Ndërkohë, deri më tani Vllaznia ka konfirmuar afrimin e mbrojtësve Dajan Shehi dhe Filip Gligorov, si dhe mesfushorëve Herald Marku dhe Behar Ramadani. Ky i fundit pritet të prezantohet sot nga klubi, edhe pse ka ditë që ka dalë në stërvitje.