Më në fund Skënderbeu buzëqesh… Nuk është pak të jesh në finalen e Kupës në sezonin më të vështirë të klubit në dekadën e fundit. Ky nuk është ekipi që kërkon titullin, por një trofe në vitin kur rrezikon më shumë se kurrë të zbresësh nga Superiorja duket si një luks.
Mirëpo, në Korçë besuan dhe ia dolën të eliminojnë nga gjysmëfinalja një prej pretendentëve për titullin kampion, Teutën. Pas këtij suksesi edhe klubi nuk mund të qëndronte në heshtje, paçka se në muajt e fundit më tepër ka qenë në vorbullën e zërave që dita-ditës shtoheshin për probleme të mëdha financia re.
“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta në klubin korçar, se presidenti Ardjan Takaj ka vendosur që ta shpërblejë me 5 milionë lekë të vjetër skuadrën pas këtij kualifikimi heroik në Durrës. Mirëpo, për të mbajtur të karikuar ekipin në objektivin parësor, që është mbijetesa në Superiore, Takaj ka menduar të bëj edhe një premtim tjetër për futbollistët.
“Shkuat në finale dhe meritoni një bravo të madhe. Në rast se mundni Vllazninë, atëherë do të keni në dispozicion 50 milionë lekë shpërblim.
Tashmë duhet të fokusoheni te kampionati për të arritur mbijetesën. Ju ka munguar besimi dhe tani e kuptoni edhe vetë se çfarë jeni në gjendje të bëni”, mësohet të ketë thënë kreu i klubit para skuadrës.
Kësisoj, shpërblimi prej 50 milionë lekësh të vjetër që jep FSHF për fituesen e Kupës së Shqipërisë, Takaj ka vendosur ta kalojë si shpërblim për skuadrën. Finalja Vllaznia-Skënderbeu do të luhet më 30 maj, por deri atëherë korçarët kanë një tjetër mision më të rëndësishëm për të realizuar. Nëse qëndrojnë në elitë, atëherë do të ishte si një trofe…