Mauricio Sarri ka festuar dje 61- vjetorin e tij dhe Juventusi sigurisht që nuk ka harruar ta urojë nëpërmjet faqes zyrtare. Por fatmirësisht askush nuk ka menduar që t’ia paraprijë urimet, sepse siç dihet, ndoshta në botën e futbollit nuk është parë një teknik më besëtytnik sesa juventini.

Përveç stilit të tij të lojës emocionuese, falë të cilit tashmë edhe në fjalorin italian është futur fjala “sarrizëm”, që korrespondon me spektaklin dhe dëfrimin në fushën e lojës, Mauricio është një nga ata persona që jo vetëm nuk i shkel frikët e tij, por është gati të jetojë me to, apo qoftë t’i ndryshojë deri në dhimbje, madje duke hequr dorë dhe nga luksi, siç do të lexohen më poshtë. Gjëra të çmendura, por që duke parë karrierën e trajnerit 61- vjeçar, ndoshta ia kanë vlejtur të sakrifikohen.

THONJ TË PAPRERË

Mauricio është një nga ata trajnerë që nuk i lë asgjë rastësisë, nëse yjësia, që siç thuhet parashikon edhe fatin e personave, nuk ka qenë në favor të tij. Dhe nëse gjithçka shkon mirë për Sarrin, atëherë çdo detaj që ai ka menduar të kryejë përpara asaj sfide do të përsëritet, madje edhe me kushtin për të ndryshuar numrin e… këpucëve.

Mjafton të mendosh që kur stërviste skuadrën e Sanxhovanezes, Sarri nuk i priste thonjtë e këmbëve, sepse mendonte se në të kundërt do t’i kishte ecur ters në fushën e lojës. Në fund të sezonit, ndoshta jo vetëm çorapet, por edhe këpucët do t’i kenë qëndruar më të ngushta, por falë kësaj besëtytnie klubi toskan në fund arriti që të festojë ngjitjen në një kategori më lart. Gjithsesi, këtu ka pak për t’u çuditur, sepse kur bëhet fjala për besëtytni, Mauricio Sarrin nuk e mposht askush. Madje mund ta quajmë trajnerin kampion të Italisë, të Europës dhe të botës…

RROTACION FUSHASH

Në Napoli, besëtytnitë e Sarrit prekën edhe fushat e stërvitjes. Mertens, një herë tregoi për një zgjedhje të veçantë të trajnerit, i cili vendosi t’u bënte rrotacion edhe fushave të lojës, duke u stërvitur në ditë të veçanta, në terrene të ndryshme të lojës. Një zgjedhje e vazhdueshme kjo, derisa erdhi edhe humbja e parë.

I NJËJTI SHOFER

Skuadra që ndërrohet nuk zëvendësohet, por në rastin e Sarrit nuk zëvendësohet as shoferi i autobusit. Prandaj, për të evituar prishjen e magjisë pozitive, në periudhën që Sarri stërviste në kategoritë e ulëta, për saktësi Sansovinon, pas një transferte të vështirë të cilën e fitoi, ai vendosi që nga ajo ndeshje e në vazhdim autobusin e skuadrës ta drejtonte i njëjti shofer. Madje, akoma më shumë se kaq… Një herë tjetër, për atë tregojnë se kishte harruar çakmakun në zyrën e tij. Për t’u menduar për zgjedhjet e tij kishte dalë jashtë qendrës stërvitore për të menduar skemat e lojës dhe për të tymosur një cigare. E bëri atë në një lokal të vogël aty pranë dhe i eci mbarë. Të njëjtin rit ai e përsëriti, sigurisht derisa erdhi humbja e parë.

3 KAFE NË FUSHË

Dhe pas një cigareje… Sigurisht që duhet edhe kafeja… Madje, 3 për saktësi, një ves i cili e shoqëron Mauricion që nga hapat e tij të parë të karrierës. Këtë gjë e bën jo vetëm gjatë stërvitjes, por edhe përpara çdo ndeshjeje. Dhe kush mendon se 3 kafe radhazi, përpara atyre momenteve janë shumë, kjo nuk qëndron për Sarrin. Arsyen e tregon ish-ndihmësi i tij në radhët e Sanxhovanezes: “Një të diel pimë 3 kafe përpara një fitoreje që nuk e mendonim.

Nga ai moment u detyruam të pinte i gjithë stafi 3 kafe secili, për të mos prishur magjinë, por ndërkohë ai e ruajti edhe në vazhdim”. Madje, te Napoli është epike fotoja e cila sheh asistentin e tij që jo t’i drejtojë stërvitjen, por t’i mbajë ibrikun e ekspresit në dorë, ndërsa ai shijon disa cigare radhazi dhe i pi në fushë, përpara seancës 3 kafet “magjike”.

MOS E PREK TOPIN…

Të gjithë trajnerët, kur e kanë skuadrën e tyre në disavantazh, shpesh shndërrohen edhe në kapës topash, kur sfera kalon vijën anësore të fushës, më së shpeshti pranë pankinës së tyre. Të gjithë, me përjashtim të Sarrit. Po, pikërisht kështu, sepse Mauricio diçka të tillë nuk e bën sikur t’i vënë pistoletën në kokë, edhe sikur skuadra e tij të jetë duke humbur me vendin e fundit. Ky ves shumë i çuditshëm la të shtangur një prej futbollistëve më të besuar të Sarrit, Zhorzhinjon, me të cilin ndau 4 vite radhazi (3 te Napoli dhe 1 te Çelsi).

“Ishte një moment kur po humbnim dhe ne i thërrisnim që të na ndihmonte me topin, në shumë raste që sfera kaloi pranë këmbëve të tij. Jo… Asgjë nuk ia lëvizte gjymtyrët, madje as instinkti i tij nuk i thoshte që gabimisht të zgjaste këmbën, apo dorën. Një herë tjetër kur po fitonim thellë, bëra gjithçka që t’ia lëshoj topin fort dhe drejt këmbëve të tij. E dini… E shmangu topin. Është thjesht e pamundur”. Por cila është arsyeja e kësaj zgjedhjeje? Shumë e thjeshtë, sepse sipas ideologjisë së lojës së Sarrit, skuadra e tij nuk duhet ta nxjerrë topin asnjëherë jashtë vijave anësore, madje duhet të sakrifikojë për ta mbajtur sa më shumë që të jetë e mundur brenda në fushë dhe gjithmonë në lëvizje…

… AS VIJËN E FUSHËS

Por nëse topi nuk duhet të dalë jashtë vijave anësore, as Sarri nuk ka ndërmend që të hyjë brenda vijave të fushës. Madje, është aq i fiksuar sa nuk e shkel vijën anësore për asgjë në botë. Diçka të tillë e shmangu edhe kur në “Uembli”, vjet në aventurën me Çelsin, portieri Kepa e tërboi, duke mos pranuar urdhrin e Sarrit që të ulej në stol.

Edhe pse turfullonte, duke goditur ndenjësen e tij, grisi tutën e më pas goditi me shqelma edhe derën e tunelit, pasi e përjashtuan me të kuqe, në asnjë rast Sarri nuk e shkeli vijën e fushës. Fatkeqësisht, në atë rast gjithçka i shkoi keq, pasi Çelsi i tij humbi ndaj Sitit, për të dytën herë me radhë, brenda pak ditësh.

JO MË NË HOTELE “HUMBËSE”

Dhe të mendosh se Sarri kishte marrë edhe masa ekstreme përpara asaj ndeshjeje me Sitin, pasi vinte nga një humbje tjetër. Trajneri i bluve kishte detyruar skuadrën dhe drejtuesit e klubit që të ndërronin hotel, kundrejt atij që kishin qëndruar ndeshjen e kaluar.

Madje, duke parë se hotelet luksoze ishin të gjitha të tejmbushur dhe nuk kishin vend për të gjithë stafin e Çelsit të tij, Sarri e detyroi ekipin që të akomodohej në një motel, jo hotel, diçka modeste, me të cilën pasanikët futbollistë të tij nuk e pëlqyen aspak, por e pranuan urdhrin e “bosit” të tyre..