Din Henderson duhet të falënderojë COVID-19 i cili bëri që në një situatë kaq të pazakontë, edhe një lojtar si ai, zëvendësues në katërkëndorin e Mançester Junajtid, të mund të festonte një prani me ekipin e parë të Anglisë. Portieri 23-vjeçar debutoi në miqësoren ndaj irlandës, ku Garet Sauthgejt përdori shumë emra të panjohur si pasojë e situatës që po përjetohet me infektimet duke kursyer titullarët e zakonshëm.

Por më i lumtur duhet të jetë xhaxhai i tij, Martin Planket, i cili falë këtij debutimi, ka fituar 14 mijë euro. Ai kishte besuar gjithmonë se nipi i tij një ditë do të luante për Anglinë dhe për këtë arsye, ka vendosur bast në kompaninë prestigjioze “Uilliam Hill” 9 vite më parë. Ai vendosi 25 paund me koeficientin 500 dhe parashikimi i tij doli i saktë, edhe pse iu desh të priste kaq shumë kohë.

Pas debutimit të nipit të tij, ai rezultoi fitues i 12500 paundëve (rreth 14 mijë euro). Një besim që e kishin edhe familjarë të tjerë pasi një bast të ngjashëm me shifra më të vogla e kishin vënë edhe e ëma dhe gjyshja e futbollistit, duke fituar secila nga 2500 paund. /vipsport/