Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, u shpreh tepër i zhgënjyer, pas humbjes ndaj Laçit në shtëpi. Në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, durrsaku shprehu dhimbje të madhe për këtë disfatë, duke deklaruar:
“Të vjen keq, në këtë fazë ku jemi nuk ke kohë rikuperimi, dhimbja është dyfishë e madhe. Ky është verdikti që të jep fati, është e shkruar çfarë do të ndodhë dhe kjo ndodhi sot. Të them që s’kam alternativa? Sulmuesit nuk e bëjnë gol? Nuk e them këtë. Kur ndeshjet fitohen nga lojtarët, kur humbasin përgjegjësitë i kam unë.
Kur pëson humbje të tilla dhimbja është e madhe. Kemi folur me presidentin, për lojtarët që na duhen në sezon por fokusimi më i madh ka qenë te ndeshjet, ishin pranë objektivave. Tani të shikojmë. Në dy ndeshjet e radhës do të luajmë për fitore, sepse kjo është fanella e Tiranës.
Celhaka shtrëngoi dhëmbët në pjesën e parë, kishte dëmtim ligamenti. Sapo filloi pjesa e dytë, na dha sinjalin që nuk mundej më. Ishte zëvendësim i detyruar.
Kur del jashtë objektivave, dhimbja është e madhe. Nuk është çështje dorëzimi, është çështje dhimbje. Më vjen keq për lojtarët, kanë konsumuar shumë. Shumë pak ditë pushim, dhimbja është e madhe për ta, jo për mua, por do të vazhdojmë përpara, nuk është çështje dorëzimi”, u shpreh Shehi.







