HomeFUTBOLLKOKSH-FSHF, Arbitrazhi Sportiv e mban pezull

KOKSH-FSHF, Arbitrazhi Sportiv e mban pezull

Përplasja midis Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Federatës Shqiptare (FSHF), e cila ka mbërritur në dyert e Gjykatës së Arbitrazhit Sportin (CAS), tanimë ka marrë një kthesë tjetër. Siç dihet organizmi që qeveris futbollin shqiptar e ka paditur KOKSH-in në CAS-in e Lozanës, sa i përket ligjshmërisë së mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, të mbajtur më 17 prill, nga ku dolën edhe organet e reja drejtuese të organizmit që qeveris lëvizjen olimpike në vend.

Kjo Asamble i dha fund një periudhe të turbullt disavjeçare në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, që kishte vuajtur përplasje të brendshme të njëpasnjë-shme, duke zgjedhur si president të saj Z. Fidel Ylli, dhe Komitetin e ri Ekzekutiv.

Por Federata Shqiptare e Futbollit nuk pati të drejtë vote në këtë Asamble, për shkak të mospërmbushjes së kritereve të vendosura nga Komisioni i Verifikimit dhe Etikës, të ngritur nga një Asamble e mëparshme e Jashtëzakonshme e KOKSH-it.

Kjo bëri që FSHF-ja ta bojkote këtë Asamble, duke vijuar ta çojë ligjshmërinë e saj në Gjykatën e Arbitrazhit Sportin (CAS). Dhe RTSH Sport ka siguruar dokumentin e ardhur nga CAS-i, që sqaron se i gjithë ky proces gjyqësor ka mbetur pezull. Kjo për arsye se Arbitrazhi Sportiv kërkon që fillimisht të mbyllen procesi gjyqësor midis FSHF-së dhe KOKSH-it, i cili vijon të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës.

Siç dihet, FSHF pati kërkuar në dhjetor pezullimin dhe shpalljen të pavlefshme të çdo Asambleje të Jashtëzakonshme të mbajtur nga KOKSH-i dhe kjo çështje nuk është mbyllur ende. Për këtë arsye, CAS-i do të presë zgjidhjen e kësaj çështjeje në gjykatën vendore, pra, atë të Tiranës, për të marrë më pas në shqyrtimin vlefshmërinë e kërkesës së Federatës Shqiptare e Futbollit për ligshmërinë e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, të mbajtur më 17 prill, dhe organeve të reja drejtuese të organizmit që qeveris lëvizjen olimpike në vend që dolën nga kjo Asamble.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments