Një revolucion mund të ndodhë në mënyrën se si tifozët në mbarë botën do të shikojnë Ligën e Kampionëve. Gjiganti i transmetimeve Netflix po përgatitet të hyjë në garë për të drejtat globale të kompeticionit më prestigjioz të klubeve, në një marrëveshje që, sipas ‘The Times’, mund t’i sigurojë UEFA-s deri në 5 miliardë euro në vit.
Ky hap lidhet me planin e UEFA-s dhe të European Football Clubs (EFC) – ish-Shoqata Evropiane e Klubeve – për të ristrukturuar të drejtat televizive të Ligës së Kampionëve, Ligës së Europës dhe Ligës së Konferencës duke filluar nga sezoni 2027–2028. Synimi është të tërhiqen më shumë platforma transmetimi, duke ndjekur shembullin e Amazon, që tashmë transmeton një ndeshje në javë në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe Itali.
Nëse Netflix fiton ofertën, do të ketë të drejtën të zgjedhë njërën prej ndeshjeve të së martës për ta transmetuar ekskluzivisht. Megjithatë, marrëveshja do të përfshijë kufizime të qarta: platforma nuk do të mund të zgjedhë të njëjtin ekip shumë shpesh, që do të thotë se, për shembull, Real Madridi nuk mund të jetë në çdo ndeshje të transmetuar nga Netflix.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e cilësoi reformën e re të Ligës së Kampionëve si një sukses të madh. “Së bashku po ndërtojmë diçka unike dhe ambicioze, për të ofruar futbollin më tërheqës, më inovativ dhe më të aksesueshëm, duke zgjeruar burimet tona kryesore të të ardhurave,” u shpreh Ceferin gjatë Asamblesë vjetore të EFC-së në Romë.
Nëse marrëveshja finalizohet, Netflix pritet të bëhet një aktor i ri madhor në tregun global të futbollit, duke shënuar një epokë të re për mënyrën si transmetohet Liga e Kampionëve.