Fitorja e djeshme kundër Teutës në shifrat 4-0 në kuadër të javës së 15-të të Superiores, ka qenë shumë e rëndësishme për Vllaznine. Kjo pasi suksesi erdhi në një moment kur ekipi po vuante, pas dy humbjeve rradhazi. Tashmë duket se pushimet do bëhen të qeta deri në janar ku do rikthehet edhe kampionati.
Shpresë dhënës është jo vetëm fitorja dhe dëshira për të krijuar vazhdimësi, por edhe loja. Pavarësisht se Teuta këtë sezon nuk është në formën e saj më të mirë, u dominua totalisht nga kuqeblutë. Kjo edhe pas formës shumë pozitive që po kalonte ekipi i Martinit, që vinte pas dy fitoreve rradhazi. Por durrsakët u dominuan nga fillmi në fund nga ana e fituesve të kupës së Shqipërisë.
Po ashtu një sinjal shumë pozitiv është zhbllokimi i sulmuesve. Kaina gjeti dy herë rrjetën dhe ndoshta mund ti bëjë drejtuesit të rimendohen gjatë këtij muaji. Kjo pasi braziliani është ndër ata emra që është diskutuar që mund të largohet. Po ashtu Ardit Hoxhaj gjeti golin pas muajve “thatësirë”, pavarësisht se erdhi me penallti, vlerat e vlonjatit dihen dhe ndoshta tashmë momenti negativ ka kaluar.
E po ashtu tifozët u shprehën të kënaqur me këtë lojë të skuadrës së zemrës, ku patjetër kërkojnë më tepër. Kjo duke parë që vendi i parë që mbahet nga Partizani është vetëm 7 pikë larg. Diferencë krejtësisht e rikuperueshme duke parë që ende nuk ka përfunduar as gjysma e javëve të kampionatit.
Endri ÇINARI