Vllaznia e femrave do të luajë sot në ora 18:00 ndeshjen e kthimit ndaj Interit, e vlefshme për turin e dytë të kompeticionit “UEFA Women’s Europa Cup’. Kuptohet që rezultati 7-0 për ekipin italian në ndeshjen e parë i ka zhvleftësuar të gjitha shanset që kampionet e Shqipërisë të pretendojnë për të shkuar më tej, por gjithsesi përballja e sotme ka interes për t’u ndjekur.

Kuptohet që në kampin shkodran është analizuar gjerë e gjatë ndeshja e parë në Milano, ku përpos meritave të kundërshtarit që është i një niveli të lartë, është dalë në konkluzionin se edhe paraqitja e vajzave kuqeblu nuk ka qenë në lartësinë e duhur.

Stafi teknik gjatë këtyre ditëve ka punuar me qëllim korigjimin e gabimeve të vërejtura në ndeshjen e parë dhe synimi është që Vllaznia të bëjë një paraqitje sa më të mirë ndaj këtij kundërshtari të fortë.

Kuptohet që mund të ketë ndryshime edhe në formacion, megjithatë gjithçka do të vendoset përpara ndeshjes që do të startojë në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Skuadra shkodrane pritet t’i japë fund sot aventurës së saj europiane, por padiskutim që dëshira është e madhe për ta mbyllur ashtu si duhet.(www.shkodrasport.com)